Gjici: Tani u futëm në treg, menaxherët e deritanishëm kanë gabuar

0

Presidenti i Kuksit është me të drejtë entuziast pas shitjes së Sindrit Gurit. Strategjia e së ardhmes është shumë ambicioze

Është fitorja personale e Safet Gjicit: Sindrit Guri në Belgjikë është si një trofe për presidentin e Kukësit, që realizon një tjetër “fiksim” të tij. Ka fituar kupë, kampion e Superkupë, por kishte ardhur koha që Kukësi të bëhej fitimprurës dhe të prodhonte, ashtu si Skënderbeu. Më në fund klubi verilindor ia doli, sepse Guri është goditja e vërtetë, jo Cikalleshi, as Bakaj. Tashmë Kukësi dhe Gjici janë plotësisht në elitë, që do të thotë që nuk bëhet më fjalë vetëm për shpenzime pa fund për ndonjë trofe, por investime dhe fjala investim ka edhe fitim brenda, kthim pas të shifrave kolosale të investuara ndër vite. Në një intervistë për Supersportin, presidenti i Kukësit ka folur për transferimin e Gurit, por jo vetëm kaq, sepse paralajmëron revolucion te Kukësi, duke larguar menaxherin Naim Halili dhe duke bërë ndryshime të tjera, për ta kthyer klubin e vet në 100% profesionist, sepse jemi në ekonomi tregu.

– Gjici, goditje e madhe kjo e Gurit.

– Ne kemi bere transfertë të mirë, e dinë që sulmuesit janë të vështirë të gjenden. Është futboll, por edhe biznes. Është lëvizje e mirë, ka shkuar në ekip cilësor. I uroj suksese atje ku do shkojë. Largimi i tij na ka vënë ne pozita të vështira për të gjetur pasues. Megjithatë, Nexhipi dhe Pakult kanë disa alternativa për te kompletuar jo vetëm sulmin, por gjithë repartet.

– Sa do të ndihet mungesa e një lojtari të tillë?

– Meqenëse Guri ka dy-tre vite me ne, është normale që të ndihet mungesa. Kam besim te trajneri që e nxori Gurin në skenë se do gjejë një tjetër. Bashkë me Nexhipin kanë menduar alternativën e duhur.

– A do të thotë kjo lëvizje se tashmë jeni ngjitur në nivelin e Skënderbeut?

– Skënderbeu është ekip i organizuar mirë dhe kalimi deri në grupet e Europa League nuk është rastësi. Ne kemi pasur mangësi stafesh menaxheriale. Ka qene e metë që nuk na sollën lojtarë cilësorë për të bërë ekip të mirë dhe për të plotësuar ekipin që të luajë në Europë. Ekipe të mëdha kanë rënë nga kategoria, Tirana, por edhe Vllaznia është drejt rënies. Ne do vendosim një staf të mirorganizuar në të gjitha hallkat e klubit. Kemi zgjidhur problemin kryesor, trajnerin:  po të ishte nga fillimi do ishim kampion. Do ketë ndryshime të mëdha, kemi larguar edhe Naim Halilin. Nuk merrej me punët e tij si menaxher, por me gjëra që nuk i takonin. Të jesh kaq korrekt dhe te mos kesh rezultate është diçka që na ka penguar shumë.  Kam qene korrekt me të gjithë trajnerët dhe nuk i janë përgjigjur investimeve të bëra. Nuk i janë përgjigjur korrektësisë dhe investimeve. Ne jemi futur në treg me gurin, më parë kemi bërë gjëra të vogla. Çdo vit do fillojmë të shesim, me punë. Na duhen lojtarë në disa reparte.

– Meritë e kujt është ky transformim?

– Trajneri dhe Nexhipi janë çelësi i suksesit. Nexhipi nuk kishte eksperiencë, por bashkëpunimi midis tyre ka sjellë këto rezultate. Trajneri ka punuar shumë me Gurin. Nexhipi ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit me trajnerin. Do bëjmë një staf të mirë, që të shesim lojtarë.

– Emra të tjerë?

– Kemi nja dy lojtarë, por le t’ia lëmë kohës.

– A keni pasur ndonjë këshillë për trajnerin?

– I kam thënë që disa talente duhen afruar, t’i përgatitim dhe rritim vetë. Pakult i përgatit talentet shumë mirë.

– Një skuadër e mirë ka nevojë për një stadium dhe fushë të mirë.

– Në Kukës ka shkuar një studio projektimi, ka bërë matjet dhe besoj qe projekti është me standardet e UEFA-s. Shumë shpejt do kemi projektin dhe them që për dy muaj do fillojë puna, do marrë miratimin dhe shumë shpejt do fillojmë punën.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.