Gjici: Po të luanim në Kukës, do ishim shumë para Partizanit! Stadiumin e ri s’e ndal askush

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka folur për mediat pas mbledhjes të së hënës. Në fjalën e tij, numri një i verilindorëve foli për stadiumin e ri të Kukësit, sezonin aktual, ligjet e ndryshuara dhe ndryshimet që do të bëhen në ligjin e sportit. Mes të tjerash, Gjici u shpreh:

STADIUMI I RI – “Ne e dimë që do të bëhen tri stadiume të reja, edhe stadiumi i Kukësit do të jetë i ri. Kodi penal që ju e dëgjuat vetë nga Kryeministri, do të dënojë tri vite të gjithë ata që futen në fushë.”

FORMALIZIMI – “Formalizimi nuk ndikon në xhepat tanë si presidentë. Formalizimi fillon pasi të mbarojnë ligjet që tha Kryeministri. Është një kohë prej 100 ditësh ku ne do të presim daljen e këtyre ligjeve. Unë them që pas miratimit të këtyre ligjeve, duke qenë pjesëtarë dhe Federata dhe ekipet e futbollit, do të kemi një zgjidhje të qartë për përmirësimin e futbollit. Nuk afrohen donatorët dhe investitorët për shkak të problemeve deri më tani dhe shpresoj që gjithçka të zgjidhet. Po marr një shembull, pasi të gjithë e keni parë që të gjithë e vendosin rrypin e sigurimit. Kështu do të ndryshojë dhe sporti dhe të gjitha ligjet do të zbatohen.”

SIGURIA – “Siguria është parësore, pasi tifozët e shëndoshë vijnë për të parë sport, e jo dhunë. Besoj shumë se me ashpërsimin e kodit penal, edhe tifozët do të jenë më të shumtë në stadium, më shumë femra. Gjithmonë, vetëm nëse zbatohet ligji. Pastaj, do të kemi futboll të rregullt si në të gjithë Europën. Ky takim ishte shumë i rëndësishëm, pasi tani mund të bëjmë atë gjë që ne e kemi kërkuar prej 20 e ca vitesh.”

BASHKIA DHE STADIUMI– “Nuk do arrijë dot Bashkia e Kukësit që të bllokojë stadiumin, edhe pse ka tentuar, pasi gjithçka është vendosur. Ka dalë fondi në llogaritë e Federatës. Bashkia nuk do të arrijë dot që të bllokojë stadiumin, pasi ai po bëhet për qytetarët e Kukësit. Të gjithë tifozët e Kukësit, që janë të rregullt, po presin me padurim që ekipi i tyre i zemrës të rikthehet në Kukës. Falënderoj Qeverinë dhe Federatën që do të bëjnë këtë investim në Kukës.”

SEZONI I KUKËSIT – “Po të luanim në fushën tonë, sot do të ishim shumë herë më afër kreut, ndoshta dhe në krye me pikë diferencë. Kukësi tregon forcë, edhe pse kemi luajtur të gjitha ndeshjet jashtë, jemi vetëm 6 pikë larg kreut”, u shpreh Gjici.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *