Gjici, Nexhipi dhe Cungu, ku u këput hallka e Kukësit?

Pas një humbjeje 5-2 kundër Torpedos është shumë e lehtë të kritikosh. Nuk do të donim ta pranonim kurrë se një ekip gjeorgjian na shënon 4 gola në pjesën e parë, tmerr! Në fakt, pavarësisht dëshirës së të gjithëve për ta parë Kukësin në “play-off” dhe shpresojmë sërish të bëjë “çmendurinë”, verilindorët kishin paralajmëruar se nuk janë aty ku duhet.

Në turin e parë gjejnë përballë Valetën, dy ndeshje skandaloze dhe me një fat të pikuar nga qielli. Pakulti largohet dhe afrohet Cungu, u pa qartë se problemi nuk kishte qenë trajneri. Presidenti Safet Gjici nga krahu i tij ka shpenzuar ashtu siç bën çdo vit dhe me të njëjtin padurim dhe “detyrim” kërkon suksesin në Europë dhe grupet e Europa Leagues.

Ekipi? Verilindorët janë më dobët se vjet kur u përballën me Sherif Tiraspolin që u eliminuan me fatin kundër. Skuadra kuksiane fut ujë nga të gjitha anët, nga porta e deri te sulmi. Nuk ka ekuilibra, nuk ka qartësi dhe një modul loje.

Afrimet e verës? Janë nën nivel. Nga një qerre me lojtarë që erdhën, pak janë të saktë. Lojtarë të një niveli mesatar dhe nën mesatar. Asnjë prej tyre nuk bën diferencën. Mund të themi se Uilliam ka cilësi, e vërtetë, braziliani është një lojtar interesant, por u prezantua për krahun e djathtë të mbrojtjes nga ku Kukësi pësoi 3 gola dhe po luan si mesfushor i majtë.

Padyshim, në këtë mes ka përgjegjësitë e tij dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi, merkatoja e tij nuk ishte aty ku duhet. Ka bërë mirë se ka ndryshuar goxha mendësinë e verilindorëve, por merkatoja ishte për t’u harruar me shumicën e futbollistëve që do të largohen.

Këmbanën e alarmit e dha trajneri Cungu. Shkodrani foli hapur, por në klubin verilindor e dimë mirë se është më e thjeshtë të sulmohet tekniku dhe t’i jepen valixhet atij. Peter Pakult përshëndet nga Austria!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *