Gjici: Me Federbetin shihemi në gjyq, tani mendojmë për Sherifin

Presidenti i Kukësit është i bindur se Federbeti shtyhet nga Shqipëria. Një gol në Moldavi do ta kënaqte, ndërsa për stadiumin thotë se puna nis në shtator

Jurgen Zela

Kukësi i ka marrë mjaft seriozisht akuzat e Federbetit dhe shumë shpejt pritet të depozitojë një padi ndaj kompanisë, që merret me vëzhgimin e ndeshjeve dhe raporton, kur vëren parregullsi në kuotat e basteve. Kukësi ishte objektivi kryesor i kompanisë blege, duke u shënjestruar në pak ditë në tri të zhvilluara në Austri. Reagimi i Kukësit ka qenë i menjëhershëm, duke njoftuar se do të nisë një proces gjyqësor për prishje të imazhit dhe do të kërkojë një shifër prej 30 milionë eurosh. Edhe pse Kukësi “hapi kartat”, duke treguar se nuk do të tolerojë aspak, Federbeti është hedhur përsëri në sulm për ndeshjen e humbur 6-0 me Dinamon e Moskës. Pas reagimit zyrtar të klubit kuksiane, “Sport Ekspres” ka kontaktuar presidentin Safet Gjici, i cili ka folur rreth aludimeve të Federbetit. Bosi i Kukësit është i bindur se kjo është një lojë “e pistë” e kundërshtarëve dhe dashakeqësve të ekipit të tij.

FEDERBET  

“Federbet atë punë ka, reagimi ynë zyrtar është publikuar nga zyra e klubit. Do ta ndjekim këtë çështje, siç kemi deklaruar, në rrugë ligjore, duke e paditur Federbetin. Kjo kompani nuk është aspak serioze dhe do të bëjmë padinë aty ku është për t’u bërë. Jemi në bisedime me disa kompani belge dhe kemi njoftuar dhe UEFA-n. Do ta ndjekim këtë çështje deri në fund. Federbeti është nxitur nga konkurrentët tanë këtu në Shqipëri, ose nga persona që kanë si synim të njollosin Kukësin. Mendojnë se mund të marrin tituj, duke njollosur Kukësin, duke nxitur kompani të tilla për të hedhur baltë mbi ne. Nuk e pranojmë aspak diçka të tillë dhe do të kërkojmë të dëmshpërblehemi maksimalisht, siç kam thënë, me 30 milionë euro. Ata kanë bërë akuza pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë. Di të them vetëm se do të mbajnë përgjegjësi”.

CHAMPIONS LEAGUE

Kur duhet më pak se një javë nga debutimi në Champions League, verilindorët vijojnë përgatitjet në Austri dhe presidenti Gjici thekson se kualifikimi mbetet një objektiv i padiskutueshëm. Në ndeshjen e parë do të kënaqej dhe me një barazim, por shënimi i një goli do ta kënaqte më shumë: “E dimë se Sherifi është një skuadër mjaft e fortë, por kemi objektivin tonë për ta kaluar këtë tur. Edhe lojtarët duhet të jenë të përgatitur për ta kaluar këtë tur dhe besoj se do të marrim maksimumin, për ta pasur më të lehtë kualifikimin në ndeshjen e kthimit. A më kënaq një barazim? Natyrisht, do të na kënaqte, pasi është rezultat pozitiv. Fantastike do të ishte, nëse do të arrinim të shënonim”.

STADIUMI  

Një ndër premtimet e numrit 1 të klubit të Kukësit është rikonstruksioni i stadiumit “Zeqir Ymeri”, në mënyrë që tifozët të mos “shtegtojnë’ për të parë skuadrën e zemrës. Investimi do të nisë në shtator, kur do të marrë jetë projekti. Presidenti Gjici zbulon se qeveria dhe FHSF-ja do të jenë investitorët në këtë projekt mjaft të rëndësishëm: “Sapo të fillojë puna në shtator, do të dërgojmë projektin në qeveri dhe në bashkëpunim me federatën, siç janë ndërtuar dy stadiume, në Shkodër dhe në Elbasan, të realizojmë të gjitha kushtet e stadiumit të Kukësit, që ndeshjet në Kupat e Europës t’i zhvillojmë këtu”.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *