Gjici: Ky është Kukësi im, mund të fitonim

0

Jurgen Zela

Safet Gjici me të drejtë mund të krenohet me “krijesën” e tij, sepse Kukësi mbetet i pathyeshëm, ka marrë dy barazime brenda në Korçë dhe dje konfirmoi se ka një skuadër të pjekur, që është e aftë të reagojë edhe në momente të vështira. Pas ndeshjes presidenti i Kukësit ka folur për “Sport Ekspres”, duke analizuar ndeshjen dhe duke kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra e tij.
President, i kënaqur nga barazimi ndaj Skënderbeut?
Të them të drejtën, nuk është se jam shumë i kënaqur me barazimin, për arsye se ne kishim ardhur për të fituar trepikëshin, por për disa gabime, ndoshta në mbrojtje dhe në portë, pësuam atë gol dhe siç duket ekipi pësoi një traumë. Në 10 minutat e para ekipi ynë ishte shumë më lart se ekipi i Skënderbeut dhe ju e patë që kishim dy-tre raste për të shënuar, por Pejiç nuk ishte në ditën e vet më të mirë, humbi disa raste që nuk besoja t’i humbiste. Pavarësisht se barazimi na mban të pathyeshëm dhe në vend të parë, me kapacitetin që ka ekipi jonë dhe ato lojtarë në stol, mund të bënim më mirë. Ajo që do më kënaqte mua dhe ekipin ishte nëse do të dilnim me tre pikë nga Korça, sepse i kishim rastet, madje për të kaluar në të parët në avantazh dhe loja do të merrte tjetër rrjedhë. Goli duhej të ishte evituar. Nuk mund ta mohoj që dhe me një pikë jemi të kënaqur, por personalisht kisha besimin që nga Korça do të iknim me tre pikë. Kuptohet që kishim një ndeshje në transfertë dhe përballë kishim Skënderbeun, që ka një ekip shumë të mirë.
Golin e barazimit e shënoi Kale, një afrim i janarit, që po rezulton një sukses i plotë. I kënaqur prej tij?
Unë mendoja se Kale duhej më parë në lojë, por strategjia e trajnerit ishte që ta aktivizonte në minutat e fundit, i cili nxorri dhe golin. Unë kam qenë i mendimit që Kale të luante që nga fillimi, por ajo zgjedhje i përket trajnerit dhe ne nuk i hyj shumë në zgjedhjet që bën trajneri.
A patët frikë nga humbja, pas pjesës së parë jo të mirë dhe sidomos kur po afrohej fundi i takimit?
Unë besoja deri në fund që Kukësi nuk do të humbiste në Korçë, nuk e diskutoja që do të dilnim pa pikë nga Korça, por me rastet që kishim ne, kisha besimin e plotë se ekipi nuk do të dilte pa pikë. Ndeshja ishte përgatitur për t’u fituar. Një pikë na mban në vendin e parë, kemi thyer rekordin pasi kemi plot 26 javë që nuk thyhemi dhe shumë pak ekipi ia kanë dalë që të jenë të pathyeshëm për kaq gjatë.
Keni kaluar një kalendar ferri, tani kalendari duket i favorshëm…
Jo, po i paralajmëroj stafin dhe lojtarët që kanë humbur një dypikësh që do ta vuajnë. Me këtë dua të them që euforia jonë duhet të jetë 0, sepse nuk ka mbaruar asgjë. Kjo ka qenë vetëm ndeshja e radhës, pavarësisht se ishte një ndeshje e fortë dhe e luftuar nga të dyja ekipet. Tani kemi dhe 10 sfida shumë të vështira, sepse pas çdo sfide rritet vështirësia. E theksoj se dua t’i bëj thirrje stafit teknik dhe të gjithë futbollistëve që duhet të jenë me vëmendjen e plotë në të gjitha ndeshjet. Duhet t’i vlerësojmë të gjithë kundërshtarët maksimalisht, pasi nuk ka ekipe të dobëta. Çdo ndeshje duhet të vlerësohet maksimalisht në të gjitha aspektet.
Trajneri Gjoka edhe një herë bëri zgjedhjet e duhura, me formacionin dhe zëvendësimet…
Normalisht që meritë të madhe ka dhe trajneri, diçka që e tregojnë rezultatet, e tregon pozita ku ndodhemi në tabelën e klasifikimit. Ecuria që nga fillimi i luftës sportive në fillim të kampionatit, tregon se Nesti ka meritën e tij si trajner pa diskutim dhe i gjithë stafi teknik, së bashku me gjithë strukturat e klubit. Është e vërtetë që ne kemi gjetur forcë dhe pasi kemi pësuar gol, por ne kemi lënë pikë gjatë rrugës që nuk duhet t’i linim, që do të thotë se i vuanim tani. Nëse llogarisim ndeshjet ku ne kemi humbur pikë, mund të flasim për 7-8 pikë dhe mund të sisim shumë komod për titullin kampion. Duhet vlerësuar maksimalisht puna e stafit teknik, zëvendësimet e lojtarëve. Gjoka është timonieri i ekipit.
Përmendët rastet e Pejiçit…
Çunat treguan karakter, sidomos në pjesën e dytë dhe tentuan për të dalë me maksimumin e pikëve, edhe pse Pejiç nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Me rastet që humbi Pejiç, që nuk e imagjinoja se do i humbiste ato raste, duhej të kishim fituar.
A do të ketë premio për këtë barazim?
Unë gjithmonë në raste kur ma kanë shpërblyer me rezultat i kam shpërblyer, por për hir të së vërtetës po të kishim dalë me tre pikë nga Korça do të kishin dalë gjithashtu me një premio shumë të majme dhe shumë të mirë. Përsëri unë do ta shikoj dhe mund të akordoj ndonjë premio, kjo sepse ato i kanë pasur mundësitë dhe me Laçin e Partizanin që të marrin premio dhe nuk ia kanë dalë. Gjithmonë unë kam qenë i gatshëm për fitoret me rivalët, por dhe për barazime në transfertë, që t’i shpërblej.
Pati një parullë ofenduese nga tribunat, në lidhje me pathyeshmërinë e Kukësit…
Banderola që nxorrën tifozët e Skënderbeut ndoshta i karikoi akoma më shumë dhe e morën mbrapsht atë që nxorën. Nuk besoj se ka pasur ndonjë organizim nga klubi. Ishte shumë e pahijshme, korçarët nuk e kanë bërë ndonjëherë këtë gjë dhe kur e pashë u acarova vërtet shumë. U gëzova shumë më pas kur shënuam, sikur të ishte goli i fitores. Ishte shumë cinike ajo që ata nxorën. Nuk e prisja që ta shihja atë nga korçarët, por mendimi i tyre, puna e tyre. Në Kukës nuk do ta pranonim kurrë. Unë e dua ekipin me nerv dhe do të doja që të mos e tregonin karakterin kur të dilte ajo banderola, por që kur pësuam golin. I kishim rastet për të barazuar në pjesën e parë, por nuk i shfrytëzuam ashtu siç duhet.
Megjithatë, marrëdhëniet tuaja me presidentin Takaj duken të shkëlqyera…
Presidenti Takaj është shumë serioz në marrëdhëniet që kemi. Ne nuk kemi humbur në 26 javë dhe as ekipi i tij nuk na mundi dot. Si Skënderbeut, ashtu dhe Partizanit, i kam marrë më shumë pikë sesa më kanë marrë ata. Kukësi ka stofin e kampionit, për ta çuar titullin drejt “Erugës së Kombit”. Ne jemi në rrugën e duhur për të shkuar drejt Kukësit me trofeun në dorë, për t’ua dhuruar të gjithë kuksianëve, pas një investimi të madh që është bërë vetëm për këtë arsye. Në Europë kemi krijuar një imazh fantastik ka ardhur koha ta bëjmë dhe në Shqipëri. E vetmja gjë që unë kërkoj është të mos ketë eufori sepse tani vjen malorja e vështirë. Derisa matematika nuk na ka nxjerrë kampionë, nuk jemi kampionë, por jemi në rrugën e duhur. Presidentit Takaj i uroj suksese në ndeshjen e radhës dhe ta dijë mirë që Kukësi është në rrugën e duhur drejt titullit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here