Gjici harron zakonin e gjobave, por me kusht: Fitoni në tre ndeshjet e radhës

Kukësi nuk e ka nisur në mënyrën që duhej këtë sezon, ku në dy ndeshjet e fundit në kampionat ka dalë nga fusha pa asnjë pikë. Megjithatë, verilindorët gjenden vetëm 1 pikë larg kreut, që është edhe objektivi i padiskutueshëm i tyre.

Ndërsa jemi mësuar që në situata kur rezultatet mungojnë, presidenti Gjici nuk e mendon dy herë të ndryshojë drejtues apo të vendosë gjoba për ekipin, këtë herë vërehet ndryshim në sjelljen e tij. Lojtarët dhe trajneri kanë besimin e plotë të Gjicit dhe janë lënë të qetë të vazhdojnë punën e tyre.

Por me një kusht, fitore në tre ndeshjet e radhës. Sipas tij vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehen aty ku ata synojnë, duke qenë se skuadra e tij është projektuar për t’u shpallur kampione e Superiores. Gjici kërkon maksimumin nga ekipi i tij, të cilët duhet të garantojnë vijueshmëri në lojë dhe rezultate./Sport Ekspres/