Gjici “hap letrat”: Çaushi, Partizani, Skënderbeu, aleancat dhe titulli kampion

0

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin “Fair Play” në Neës24, ku ka diskutuar gjerë e gjatë futbollin e luajtur, por edhe çështjen e bujshme të video-skandalit, ku menaxheri Drini Çaushi mundohej të joshte Vilën që të toleronte në Partizani-Kukësi.

FITORJA NDAJ KORABIT – “Nuk ishte ai Kukës që prisja unë të shihja. Trajneri kishte ruajtur disa lojtarë për ndeshjen e radhës me Skënderbeun.  Ndoshta e kishte marrë ndeshjen lehtë, për shkak të ekipit kundërshtar që ka rënë nga kategoria, ose trajneri nuk e kishte përgatitur siç duhet këtë takim. Ishte një supergol i Korabit, na tensionoi, por ishte fillimi dhe Kukësi ka elementë për të përmbysur rezultatin. Ishim në tension të jashtëzakonshëm kur nuk e kthyem që në pjesën e parë. E rëndësishme ishte që morëm tre pikë. Karikimi i ekipit bëhet i vështirë për ndeshje të tilla, presioni shtohet kur i afrohemi fundit. Edhe këto thashethemet për videot kanë ndikimin e tyre”.

TITULLI – “Besoj se nuk ka mbaruar asgjë, me Skënderbeun ndahet gjithçka, nëse fitojmë këtë javë dalim matematikisht kampion. Derisa nuk jemi matematikisht nuk jemi ende kampion. E kemi hequr Partizanin qafe? Ne nuk heqim qafe asnjë ekip, ata hoqën qafe vetveten.

SKËNDERBEU – “Ndeshja do të jetë shumë e fortë me Korçën, ka qenë një kampionat shumë i vështirë. Ne jemi afër, por ende s’ka mbaruar asgjë. Stafi dhe lojtarët nuk duhet të jenë euforikë, të mos shohin këtë ndeshje që bëmë me Korabin, sepse do jetë një tjetër ndeshje me Skënderbeun, Unë do të doja të rivalizoja me Partizanin, Skënderbeu ka shumë përvojë dhe duhet të përgatitemi mirë. Edhe dy vite më parë Korça na ka mundur në Kukës dhe fitoi kampionatin aty. Stafi dhe lojtarët duhet të përgatiten mirë, por kemi 34 javë pa humbje dhe besoj se do të dijë ta kalojë mirë.

ALEANCA ME TIRANËN – “Duhet të ketë fakte për aleanca, ne çdo vit kemi luftuar në dy kampe. Korça hapte rrugën në kupë dhe triumfonte ne kampionat. Këtë vit ne nuk kemi superekipe. Nuk kemi 2 ekipe që të përballojnë edhe Kupën edhe kampionatin. E menduam se do të luajmë futboll në Kupë, por vëmendja tek kampionati. Ne kishim mundësi ta mundnim Tiranën në të dyja frontet, por kishim shumë dëmtime, kishim ndeshje shumë të forta. Kur e ka bërë Skënderbeu nuk ka thënë kush që ka bërë aleancë. Çdo ekip ka zgjedhjet e veta strategjike. E provuam të luftojmë në dy fronte disa vite, por e kuptuam se nuk kemi ekip për t’i përballur të dyja”.  

VIDEOJA ÇAUSHI-VILA – “E para, më duken sajesa të gjitha këto që janë bërë. Kur fillon një hetim prokuroria, ne të tjerët duhet të heshtim. Nga imazhi ne jemi rënduar dhe pa diskutim po e ndjekim nga ana ligjore këtë punë. Menaxheri im është Naim Halili. E njoh Drinin, më ka sjellë tre lojtarë, Allën, Kalenë dhe Rrumbullakun. Kemi diskutuar për kontratat e këtyre lojtarëve, unë kontaktoj me shumë menaxherë dhe ata kontaktojnë gjatë gjithë kohës me mua. Nuk është, nuk ka qenë asnjëherë menaxher i Kukësit, i tillë është vetëm Naim Halili. Duke qenë se ky di greqisht, Drini ka qenë së bashku me Naimin në Greqi, në konferencën e përfolur. Kjo është e vërteta. E vetmja lidhje me të është që ka sjellë ato lojtarë që përmenda më lart. Më ka propozuar dhe lojtarë të tjerë. A ka qenë Vila një prej tyre? Jo. Në fillim të kampionatit Dritan Dervishi më ka propozuar Sukajn, Vilën dhe Trashin. Kishin kontratë dy prej tyre, ndërsa me Sukajn nuk ramë dakord për pagën”.

PARTIZANI – “Në ndeshjen me Partizanin e pamë që ishte “fair play” dhe ne i bëmë të dy golat, një në portën tonë dhe në portën e Partizanit. Pata dyshime kur bëmë autogol, tek lojtarët që shkaktuan autogolin. Kur e pashë me vëmendje, ishte një gabim që çdo mbrojtës do e bënte, por autogolin e bëri Shameti. Unë nuk do dyshoja kurrë as tek Shameti dhe as tek Alla. Kur e pashë në zyrë me vëmendje e kuptova që ishte një nxitim i imi. Nuk e shpreha, vetëm me ndonjë shok. Unë nuk dyshoj kurrë, sepse Alla është dhe lojtar i kombëtares dhe djalë korrekt. Pas pak ditësh e shoh që Drini fliste në emër të Kukësit dhe më interesantja është kur thotë se është me Naimin. Ai ka qenë 1 muaj në Greqi, duke e vërtetuar nga sistemi. Ne jem distancuar, është një incizim i jashtëligjshëm, i bërë për të njollosur Kukësin. Ne kemi nga UEFA materiale për korrektësinë e Kukësit. Pas 5 vitesh janë sajesa të tilla për të goditur Kukësin. Ndoshta mund të ketë dhe lidhje politike, por ideja është që nuk kanë asnjë fakt asnjë provë që të implikohem unë apo ekipi i Kukësit. Nëse Naimi është i implikuar, prokuroria të japë verdiktin dhe secili të marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Titullin unë çdo vit e dua patjetër. S’e kam kontaktuar, kam pyetur menaxherin tim nëse ka folur. Nuk e hap telefonin, nuk përgjigjet. Do të vazhdoj më tutje.

VILA – “Vila dhe një sms me emrin Safet? Nuk ia kam as numrin e telefonit, as nuk e kam kontaktuar Vilën, aq më tepër për të thënë a do më tolerosh ti. Prokuroria do e zbardhë çështjen, por nuk mund të njolloset Kukësi. Sa herë ekipet kundërshtare hapin portat unë do shënoj sa më shumë gola, s’më intereson pse hapin portat. Nuk mund ta njollosë askush punën tonë dhe djersën tonë, sepse vërtet është një rreth i vogël, por ka një zemër shumë të madhe. Do ta paditim për shpifje Çaushin. Drinin ma ka sjellë Naimi për të biseduar, ky më merrte në telefon për lojtarët e tij, interesohej. Mos të gabohem që para 1 muaj kur ka qenë në Shqipëri, ka ardhur njëherë në zyrat e mia për të më paraqitur disa lojtarë, për Champions, siç kam folur dhe me menaxherë të tjerë. Këto kanë qenë bisedat e mia me Drinin. Kuksianët do të dinë të përgjigjen për këto raste. Ne do të luftojmë në fushë për titullin. Prokuroria të flasë, ne të tjerët s’duhet të flasim”.

DEMI – “Kam dashur ta marr Demin, pasi ne kemi pasur debatet, batutat, por kurrsesi nuk kanë kaluar kornizat e një presidenti të një ekipi. Nuk kam komunikuar me Demin, as me Vilën. Po të kishte fituar Partizani, a do jepej kjo video? Besoj se jo. Nëse do ishte dhënë para ndeshjes do kishte ndikuar dhe do të kishte fituar Partizani. Pse u publikua pas ndeshjes? Partizani rrezikoi kampionatin pas barazimit me ne”.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here