Gjetje e goditur/ “Mjekët Kombëtarja jonë”, FSHF ka dedikim emocionues për “luftëtarët e sotëm”

Pandemia covid-19 vijon të mbajë të gjunjëzuar gjithë botën, e përjashtim këtu nuk bën as Shqipëria. Vendi ynë prej afro një muaji është nën masa të rrepta për të parandaluar përhapjen massive të Koronavirusit, ndërsa mjekët janë ata që po sakrifikojnë më teër këto kohë. Bluzat e bardha kanë marrë rolin e heroit duke qenë vazhdimisht të ekspozuar ndaj virusit vdekjeprurës dhe duke u përpjekur të shpëtojnë jetët e gjithë personave të infektuar.

Federata Shqiptare e Futbollit e vlerëson maksimalisht përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe gjith sistemit shëndetësor në vendin tonë. Madje ka vendour t’i quajë edhe si Kombëtarja jonë në këtë periudhë. FSHF ka menduar një mënyrë origjinale për të shprehur falenderimin e tyre ndaj shëndetësisë shqiptare, duke shkruar emrat e 459 personave të përfshirë në këtë “luftë” me armikun e padukshëm në fanellat e Kombëtares kuqezi, me të cilat mbushën fushën e stadiumit “Air Albania”.

“Mjekët kombëtarja jonë” ishin fjalët e formuara prej këtyre fanellave, teksa është përcjellë kështu mesazhi i qartë për bluzat e bardha. Këto bluza kuqezi do t’i shpërndahen më pas të gjithë personelit që po jep kontributin e tij në këtë sfidë të vështirë me Covid-19, të shoqëruara gjithashtu me 459 topa futbolli për fëmijët e tyre, në mënyrë që të kenë mundësinë të argëtohen nëpërmjet sportit më të bukur në botë gjatë qendrimit në shtëpi./Sport Eskpres/