Gjest i madh, rrogën e Kristal Abazajt do ta paguajë vetë Vincent Kompany…me një thumbim

Në këto momente të pandemisë së Koronavirusit nuk ka vetëm probleme në arkat e qeverive të shteteve, por njëkohësisht edhe te klubet. Shumë ekipe nuk e kanë të mundur që të paguajnë lojtarët e tyre dhe kanë nisur me uljen e rrogave.

E kjo kohë ndikon edhe më tepër te Anderlehti, klubin e njohur belg që ka kaluar një krizë financiare edhe më herët. Fillimisht klubi ka kërkuar që në bazë të krizës së COVID-19, lojtarët të heqin dorë nga rroga e këtij muaji. Këtu përfshihen edhe futbollistët e dërguar në huazim, si në rastin e Kristal Abazajt, që tashmë është te Kukësi por zotërohet ende nga Anderlehti.

Pra nga mbledhja e klubit u vendos që të gjithë lojtarët të hiqnin dorë nga pagesa e një muaji për të ndihmuar sadopak në këtë krizë. Por sigurisht që nuk do të pritej shumë mirë nga lojtarët. Vetë Vincent Kompany që është lojtar-trajner në këtë skuadër ka vendosur që të paguajë nga xhepi i tij dhe me shpenzime personale të gjithë ata që refuzojnë të heqin dorë nga rroga e tyre e një muaji.

Një gjest i madh ky, por pa anashkaluar edhe një thumb: “I mbuloj unë për ata që nuk duan të paguajnë. Por është e qartë që këta persona nuk tregojnë solidaritet”. Pra edhe Kristal Abazaj mund të përfitojë dhe të marrë rrogën e tij te Anderlehti, normalisht nëse merr një vendim të tillë për të refuzuar dorëzimin personal, me Kompany që do të mbulojë edhe shpenzimet e lojtarit shqiptar. /Sport Ekspres/