Gjermania përmbyset në Francë, “Game over” për Lëv?

Gjermania e Joakim Lëv është mundur sërish, humbja e gjashtë në 10 ndeshjet e fundit! Kësaj radhe “pancerat” kanë dalë kokulur nga “Stade de France” pas humbjes 2-1 ndaj kampionëve të botës në fuqi.

Goli me penallti i Toni Kros dhe loja e mirë në pjesën e parë krijuan iluzionin se 4 herë kampionët e botës e hodhën pas krahëve krizën, por pjesa e dytë tregoi se problemet te kombëtarja gjermane janë jashtëzakonisht të mëdha për t’u zhdukur pas vetëm një ndeshje.

Antuan Grizman ishte lideri i protagonisti i Francës në këtë takim me dy golat e tij (goli vendimtar me penallti tepër të dyshimtë) dhe me fitoren që e çon Francën në krye të grupit e me një këmbë në fazën finale të “Nations League”. Ndërkohë, situata e Gjermanisë është shumë më e rëndë.

“Pancerave” do u duhet të fitojnë me patjetër me Holandën, si dhe do u duhet që të shpresojnë në një rezultat pozitiv të Francës në Amsterdam, përkundrazi do të bien nga Liga A si përfaqësuesja e vendit të fundit në grupin e vet. Gjasat që ky skenar të bëhet realitet janë të shumta. Pozitat e Joakim Lëv lëkunden më shumë pas kësaj humbje dhe s’do ishte çudi sikur në ditët në vazhdim të njoftohej mbyllja e bashkëpunimit 12-vjeçar, edhe pse bëhet fjalë për trajnerin që e ngjiti Gjermaninë në majën e botës vetëm 4 vite më parë në Brazil.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *