Gjermania me Brazilin në horizont dhe një mallkim që mban emrin “Grupi F”

Sot pasdite luhen ndeshjet e fundit të Grupit F, ku bën pjesë Gjermania, dhe për kampionët e botës sfida kundër Koresë së Jugut duhet fituar me çdo kusht, për të evituar ndonjë katastrofë të mundshme.

Në fakt, ndonëse është favorite e madhe, Gjermania dridhet, sepse rrezikon eliminimin, ose nëse del e dyta në grup, me shumë gjasa ndeshet me Brazilin. Përveç kësaj, duket se Korea e Jugut sjell ters, ashtu si Grupi F.

Standings provided by Sofascore LiveScore

MALLKIMI – Që kur u hodh shorti, në Gjermani rrudhën buzët. Rivalët dukeshin të lehtë në letër, por tradita thotë që në historinë e Kupës së Botës asnjë skuadër e vendosur në grupin F nuk është shpallur kampione. Grupi F ekziston që prej Botërorit 1986 dhe atë vit ishte Anglia në grupin F, ashtu si në Botërorin 1990. Holanda në 1994 doli në çerkfinale, Gjermania në 1998 doli në çerekfinale, Anglia në 2002 në çerekfinale dhe Brazili në 2006, gjithnjë në çerekfinale.

Në vitin 2010 në grupin F ishte Italia dhe u eliminua që në grupe, ndonëse bënte pjesë në një grup qesharak, me Paraguain, Sllovakinë dhe Zelandën e Re. Në vitin 2014 në grupin F ishte Argjentina dhe për pak sa nuk e prishi mallkimin, por në finale e mundi Gjermania.

PRECEDENTËT – Gjermania e ka mundur gjithnjë Korenë e Jugut, por kujtimet nuk janë pozitive. Në USA ’94 Gjermania fitoi 3-2 në ndeshjen e fundit në grup, me Korenë e Jugut që shënoi dy gola në pjesën e dytë, ndërsa Stefan Efenberg u zëvendësua dhe u tregoi gishtin e mesit tifozëve të vet, duke u përjashtuar nga kombëtarja.

Po ashtu, në vitin 2002 Gjermania e mundi Korenë e Jugut në gjysmëfinale, por në atë takim Mikael Balak ndali me faull një kundërsulm, koreano-jugor dhe mori kartonin e verdhë që e la jashtë finales së madhe, humbur ndaj Brazilit.

MEKSIKA E SUEDIA – Në ndeshjen tjetër të grupit, Meksika kryesuese ka nevojë për një pikë ndaj Suedisë, për të kaluar më tej si fituese e grupit. Gjashtë pikë duken shumë, por sfida me Suedinë është një finale e vërtetë, sepse nëse Suedia fiton me 2 gola diferencë, Meksika shkon në shtëpi, duke menduar që Gjermania do të fitojë ndaj Koresë së Jugut (por edhe kjo e fundit nuk është e eliminuar, sepse nëse fiton ndaj Gjermanisë dhe fiton edhe Meksika, grupi bëhet çorap). Në letër ka pak shanse që Suedia të fitojë kaq pastër, duke parë sa vuan për të gjetur golin dhe sa mirë ka luajtur Meksika deri tani, por Botërori po dhuron surpriza pa fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *