Gjermania goleadë pa rekord, Levandovski mund Rumaninë

Gjermania kampione e botës në fuqi ka mundur thellë San Marinon 7-0 në takimin e gjashtë kualifikues në grupin C të vlefshëm për botërorin 2018 në Rusi. Ashtu siç pritej, edhe pse trajneri Lëv praktikisht kishte hedhur në fushë Gjermaninë B, skuadra e tij nuk e ka diskutuar për asnjë moment fitoren, madje me shumë gola. Por gjermanët duhet të presin ndonjë ditë tjetër për të vendosur një rekord të ri sa i përket golave. 16-0 kundër Rusisë 105 vjet më parë vazhdon të mbetet në fuqi. Kundër San Marinos në Nurenberg, Gjermania është ndalur te kuota 7, një gol më pak nga çfarë kishte shënuar në takimin e luajtur disa muaj më parë në San Marino. Nëse në fushë Gjermania nuk ka mundur të vendosë një rekord të ri sa i përket golave, një rekord e ka arritur me formacionin që Lëvi ka rreshtuar në fushë. Për herë të parë që nga viti 1960, në formacionin titullar të Gjermanisë kanë qenë 11 lojtarë nga 11 klube të ndryshme.

Vagner, personazhi i mbrëmjes – Gjermania e ka nisur menjëherë në sulm, teksa në vijën e parë ka qenë ylli i Hofenhajmit, Sandro Vagner, protagonist i mbrëmjes me tri rrjeta. Gjermanisë i kanë mjaftuar 11 minuta për të kaluar në epërsi, falë një veprimi mjaft të bukur të kapitenit Julian Draksler. Në këtë pjesë “Die Mannschafti” gjen dhe tri gola të tjerë. Sandro Vagner (16’, 29’) dhe Amin Juner (38’), i çojnë shifrat në 4-0. Në pjesën e dytë  Gjermania ul ritmin, megjithatë gjen dhe tri herë të tjera rrugën e golit. Shkodran Mustafi shënon me të filluar pjesa e dytë (47’); 18 minuta nga fundi Julian Brandt i çon shifrat në 6-0, teksa për të mbyllur takimin ka menduar Sandro Vagner (85’) me golin e shtatë për Gjermaninë dhe të tretin personal.

Levandovski i papërmbajtshëm – Në grupin E kualifikues Polonia ka marrë arratinë, sepse mposhti mbrëmë 3-1 Rumaninë, në një përballje me rëndësi të madhe për të dyja palët. Vendosi gjithçka Robert Levandovski, sepse sulmuesi i Bajernit shënoi 3 herë, në minutat 29, 57 e 62 (dy herë nga pika e bardhë), ndërsa rumunët shënuan një gol pa vlerë në minutën e 77-të me Stankun. Asnjë surprizë në dy ndeshjet e tjera të grupit, me Malin e Zi që fitoi 4-1 ndaj Rumanisë, falë golit të shqiptarit Fatos Beqiraj dhe 3 golave të Jovetiçit, ndërsa Danimarka fitoi 3-1 në Kazakistan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *