Gjermania ankohet për barin, Lëv habitet nga kaosi te Spanja

Gjermania ka mbërritur në Rusi dhe dje ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në këtë vend. Dhe menjëherë gjermanët kanë gjetur diçka që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Lëv. Bëhet fjalë për lartësinë e barit. Trajneri i kampionëve të botës në konferencën e parë për mediat që nga Rusia ka nënvizuar se bari është 2-3 milimetra më i lartë dhe ka kërkuar shkurtimin e tij. Lëv ka folur dhe për tema të tjera që prekin kombëtaren gjermane.

Lëv për akomodimin në Rusi – Trajneri i Gjermanisë ka folur për ditët e para në tokën ruse. “Natyriosht që do të na duhen pak ditë për t’u ambientuar më mirë me mjedisin këtu në Rusi. Por sa i përket të tjerave ne i kemi të gjitha facilitetet e nevojshme. Kemi një qendër stërvitore shumë të mirë shumë pranë hotelit të ekipit. Që përpara se të vinim këtu isha i qetë se do të kishim të gjitha komoditetet për ta bërë si duhet punën tonë. Kjo na jep mundësi të përqendrohemi vetëm tek puna dhe ndeshjet e botërorit”.

Lëv për përgatitjet – “Sigurisht që nuk është e lehtë të përgatisësh sërish nga e para ekipin, që vjen nga një sezon i gjatë dhe shumë i lodhshëm. Në të dy takimet miqësore kundër Austrisë dhe Arabisë Saudite kemi vënë re mungesën e ritmit. Prisja të ishim më mirë. Gjithsesi kemi punuar shumë fizikisht dhe gjatë kësaj jave më së shumti do të përqendrohemi tek përgatitja taktike. Gjithsesi unë jam optimist se gjithçka do të shkojë mirë dhe do të jemi gati për takimin e parë kundër Meksikës.”

Lëv për problemet me barin – “Që në ditën e parë të përgatitjeve kemi vënë re se bari në fushën stërvitore ka qenë disa milimetra më i lartë nga çfarë duhet. Kjo është diçka që duhet ta rregullojmë, sepse në të kundërt rrezikojmë dëmtimin e lojtarëve. Sami Kedira ka disa probleme dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm me të. Gjithsesi, sipas informacioneve që kam, ekipi është i kompletuar dhe pa shqetësime serioze.”

Lëv për formacionin titullar – “Nuk e kam vendosur ende se cili do të jetë formacioni në fushë. sigurisht që nuk dua të rrezikoj me asnjë nga lojtarët. Të shtunën besoj do të shoh më mirë. mund të them se brenda grupit kemi një konkurrencë të fortë. Seancat e forta stërvitore më kanë lejuar të kuptoj se cilët mund të jenë titullarët për takimin kundër Meksikës.”

Lëv për termetin në stolin e Spanjës – “Kjo ishte e paparashikuar, e pamenduar. Nuk di tub them se çfarë qëndron pas gjithë kësaj historie, por një vendim i tillë vetëm dy ditë nga debutimi në Botëror është i pabesueshëm. Lëvizje të tilla shqetësojnë ambientin si në ekip dhe në federatë. Gjithsesi, pavarësisht konsekuencave që pritet të ketë kjo lëvizje, lojtarët spanjollë janë profesionistë dhe do të dinë t’i kalojnë vështirësitë.”

Lëv për të ardhmen e Boateng – “Të them të drejtën, nuk mendoj shumë për merkaton e lojtarëve në këtë moment. Ajo çfarë di të them është se Boateng është stërvitur mjaft mirë me ekipin. Mua më intereson një Zherom Boateng në formë të plotë. Diçka e tillë do të thotë shumë për Gjermaninë.”

Lëv për Ozil e Gyndogan – “Nuk kam çfarë të them më. Çfarë kisha për të thënë e kam bërë. Mendoj se kemi folur më shumë nga çfarë duhet për këtë çështje. Kam folur me lojtarët, ata kanë biseduar me kancelaren Merkel dhe për mua është e rëndësishme që të kem të gatshëm dy lojtarë të shkëlqyer. Nuk dëshiroj që tifozët të vazhdojnë të shoqërojnë me fërshëllima Ozilin e Gyndoganin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *