Gjenerali i ushtrisë së vdekur

Gjergji Stefa

Direkt e në temë. Pesë humbje radhazi, njëra madje në kufijtë e dëshpërimit në Luksemburg, janë arsye të denja për t’u konsideruar një dramë dhe në kampingun kuqezi po përjetohet ekskluzivisht si e tillë pas disfatës 2-1 në Luksemburg, në prag të finales së edicionit përpara Izraelit.

Në qendër të kritikave është vënë trajneri Xhani De Biazi, i cili në këtë pikë të ngjan gjithnjë e më shumë si gjenerali i ushtrisë së vdekur. Trupin e ka në Shqipëri, ndërsa kokën kushedi e di se ku, madje ndoshta dhe në Kinë. Prej muajsh vetëm respekton kontratën, ndërkohë që trajnerit të Shqipërisë do t’i duhet të bëjë shumë më shumë, nëse dëshiron të arrijë rezultate më këtë ekip. Duhet të sillet si De Biazi nga viti 2012 deri në verën e 2016-ës. Pas fitores 1-0 kundër Rumanisë në Francë, ushtria i përgjigjet gjithnjë e më pak.

Megjithatë, një sy vëzhgues nuk duhet të bjerë në kurthin që kur gjërat nuk shkojnë, trajnerin duhet ta ekzekutosh. Sigurisht që kur gjërat nuk shkojnë, ai rrezikon më shumë, por rrezik kjo situatë është produkt më së shumti i mënyrës se si është sjellë ekipi. Në këtë sezon, zyrtare apo miqësore qofshin, lojtarët janë sjellë si gjeneralë, pavarësisht se nuk e kanë as cilësinë dhe as karakterin për t’u sjellë si të tillë. Jo vetëm që nuk po bëjnë më të mirën e tyre prej muajsh, por e keqja është se u është mbushur mendja që statusi hero të ndjek përgjithnjë. Faleminderit për atë që bëtë në Europian, por jeta vazhdon dhe ky ekip ka luajtur gjithnjë si një grup, që jep më shumë se 100% dhe për këtë arsye ka arritur ndonjë sukses më shumë. Çuditërisht atyre u mungon dëshira dhe ambicia, u mungon madje dhe modestia dhe, nëse nuk je lojtar i madh, këto janë sindromat e ndëshkimit. Në këto muaj janë kujdesur më shumë për të postuar foto nga Europiani dhe për të zgjidhur mes njëri-tjetrit se kush do jetë kapiteni i së ardhmes dhe kanë harruar që publiku e ka vendosur në fotografi Europianin dhe kërkon të shijojë të ardhmen. Asnjëri prej tyre nuk pati ndonjë hov cilësor në karrierë pas Europianit që bënë dhe ky është tregues se ata tek e tek nuk vlejnë dhe aq shumë, por të gjithë bashkë mund të dhurojnë gjëra të paharrueshme.

Trajneri një ditë do ikë, por nëse ndokush vazhdon luan kështu, pse jo dhe ndonjë nga heronjtë e fushës duhet dalëngadalë të largohet. Përpara është Izraeli. Ndoshta humbja me Luksemburgun i ka rikthyer me këmbë në tokë. Sa herë jemi në ajër, shfryhemi si një tullumbace. Kush jemi ne, që nënvlerësojmë qoftë dhe një miqësore?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *