Gjelbrim Taipi shkon në Superligën zvicerane

Më në fund, Gjelbrim Taipi ka hedhur një hap të rëndësishëm përpara në karrierën e vet, sepse pas 4 sezonesh në divizionin e dytë zviceran, tashmë ka firmosur për Sant Gallenin në Superligë.

24-vjeçari shkëlqeu te Shkëndija e Tetovës në vitet 2011-2013, duke u bërë edhe pjesë e ekipeve të moshave të Shqipërisë, ndërsa në verën e vitit 2013 u transferua te Vili në Zvicër. Titullar fiks dhe i dalluar për 3 sezone rresht, Taipi kërkoi largimin verën e shkuar, kur klubi uli ndjeshëm nivelin e pretendimeve dhe largoi shumë titullarë. Mohimi i kërkesës për largim futi Taipin në konflikt me klubin, derisa në janar kontrata u prish.

Prej janarit Taipi luajti te Shafhauzeni, ku në 16 ndeshje shënoi 3 gola e dha 5 asiste.

Tani Taipi shkon te Sant Galleni, ku shpreson të tregojë sa vlen, pasi është një lojtar me potencial të madh dhe në krahun e majtë të mesfushës mund të bëjë gjëra mahnitëse.

Duhet kujtuar se tek Sant Gallen luan edhe sulmuesi Albian Ajeti, ndërsa prej sezonit të ri do të jetë edhe vëllai i tij Adonisi, duke e kthyer Sant Gallenin në një koloni të vogël shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *