“Gjelat” e rinj në gjurmët e Francës kampione të gjithçkaje

Të fort, të vendosur dhe që dinë ti fitojnë ndeshjet. Me të gjitha mënyrat! Franca e Didië Deshamp dha një tjetër provë force përballë Uruguajit. Së bashku me Nigerinë, “blutë” ishin skuadra më e re e Botërorit: 26 vjeç mosha mesatare. Të nisur me paragjykimin e mungesës së eksperiencës, por me të ardhmen të gjithën përpara tyre.

Të martën e ardhshme, më 10 korrik, talentët e Francës luajnë gjysmëfinalen ndaj Belgjikës. E gjashta në historinë e përfaqësueses. 9 gola të shënuar, 4 fitore dhe 3 ndeshje të mbyllura pa pësuar gol. Prej potencialit dhe kualitetit, yjet e vegjël të grumbulluar nga Deshamp të kujtojnë Francën kampione të botës në vitin 1998 dhe kampione të Europës në vitin 2000.

Trajneri aktual ishte i pranishëm si lojtar në Paris, në triumfin përballë Brazilit dhe më pas në Fejnord, duke ngritur në qiell dy trofetë më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Ajo ishte skuadra e parë që i fitoi të dy titujt pas Gjermanisë Perëndimore në vitet ’70. Pas tyre suksesin e përsëriti Spanja në vitet 2008 dhe 2012, me iberikët që fituan edhe Europianin pasardhës.

Ai i Francës së atëhershme ishte një brez lojtarësh me emra si Bartez, Turam, Desaji, Zhorkajef, Zidan, Henri apo Vieira. Ishte skuadra e parë e vërtetë multietnike e “bluve”, që në atë kohë u kontestua ashpër nga opozita e ekstremit të djathtë. Trajneri Eme Zhake pati guximin të anashkalonte emra si Kantona, Zhinola dhe Papin për ti dhënë hapësirë kampionëve të rinj.

Historia duket se po përsëritet te Franca, një skuadër multietnike dhe që disponon shumë yje të rinj. Edhe këtë herë emrat e mëdhenj të përjashtuar nuk mungojnë. Në të kaluarën ishin Kantona me shokë, tani ishte radha e Benzema, Lakazet, Marsial e Pajet të qëndronin jashtë. Pas finales së humbur në Euro 2016 me Portugalinë, Franca e tanishme duket gati të fitojë gjithçka dhe të dominojë futbollin botëror dhe kontinental. Zidan me shokë e bën në fundin e shekullit të kaluar, Mbape, Grizman dhe Pogba janë gati të përsërisin arritjen. Kush mund ta ndalojë këtë Francë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *