Gilman Lika: Në Laç dua pikët para lojës së bukur

Kapiteni i Vllaznisë shpreson shumë në një paraqitje të mirë të skuadrës së tij përballë komshinjve veriorë, pasi sheh se morali është në rritje

Gaspër Marku

Vllaznia luan sot transfertën e tretë në këtë kampionat, luan “derbin” e veriut me Laçin. Objektivi është fitorja,q ë mungon nga java e parë me Lushnjën, Mesfushori Gilman Lika nuk u aktivizua në mesjavë ndaj Kastriotit për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, por sigurisht që do të jetë në fushë nga minuta e parë sot. Bashkë me Bardullën dhe Markun, ai është parë pas ndeshjes në fjalë të zhvillojë një seancë individuale në fushën e “Reshit Rusit”, qëllimi i së cilës ishte që në përballjen e sotme me Laçin të jetë në formën e duhur sportive. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, në cilësinë e kapitenit të skuadrës, Lika shprehet optimist për javën e katërt: “Normalisht, ishte zgjedhja e trajnerit për të qëndruar një pjesë e lojtarëve pa u aktivizuar dhe besoj se është brenda logjikës. Vllaznia nuk është se ka ndonjë gjë të madhe, por besoj se e ka atë luks që të paktën në momente të veçanta disa lojtarë që kanë nevojë, të pushojnë”, – shprehet Lika.

Morali në rritje

Për mesfushorin me përvojë, gjendja morale e skuadrës është në rritje. Madje, ai thotë se atë shok psikologjik të pësuar nga humbja në Shkodër ndaj Teutës, e ka kaluar plotësisht. Paraqitja pozitive e Vlalznisë në përballjen e javës së kaluar me Luftëtarin në Gjirokastër, sipas Likës, ishte një sinjal i qartë. “Mendoj se e kemi hedhur tej takimin me Teutën, që nuk ishte i mirë për ne. Kemi marrë një rezultat pozitiv në Gjirokastër, që na ka vlejtur për të rritur moralin para kësaj sfide me Laçin”, – thekson Lika. Për ndryshimet që kanë ndodhur në stafin teknik të skuadrës laçiane, ku pas dorëheqjes së Nicës është ulur në stol vlonjati Gentjan Mezani, Lika pranon se në kësi rastesh skuadrat përgjithësisht mobilizohen: “Kur vjen një trajner i ri, futbollistët mobilizohen, por, siç e thashë edhe më përpara, qëllimi ynë është i qartë, shkojmë në Laç për të marrë maksimumin e pikëve”.

Laçi i vështirë

Për kapitenin e kuqebluve, përballja e sotme me Laçin është jo pak e vështirë, por Vllaznia ka vetëm një objektiv, 3 pikët: “Ndeshja ndaj Laçit është e vështirë. Në radhë të parë, ata kanë treguar se luajnë mirë futboll në fushën e vet. Por ne kemi një synim të qartë për të marrë maksimumin e pikëve. Jemi përgatitur për një gjë të tillë. Kemi bërë maksimumin në stërvitje gjatë këtyre ditëve dhe këtë do ta reflektojmë më së miri në fushë. Personalisht, dëshiroj tri pikët në Laç dhe jo lojën e bukur. Kur merren tre pikët, vjen edhe loja e bukur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *