Gilman Lika lë Vllazninë, rivishet bardheblu

1

Zyrtarizimi i largimit pritet të behët sot paradite, por mesfushori shkodran që dje pasdite është përshëndetur me skuadrën dhe stafin teknik, duke u komunikuar kalimin te Tirana

Gaspër MARKU

Nëse nuk do të ketë ndonjë lëvizje surprizë të orëve të fundit, Gilman Lika mund të konsiderohet që dje në mesditë i larguari i radhës nga Vllaznia. Burime zyrtare nga klubi kuqeblu bëjnë të ditur se futbollisti në fjalë ka komunikuar në telefon me trajnerin Luan Zmijani, të cilët i ka bërë të ditur vendimin që ka marrë për t’u larguar nga skuadra shkodrane. Nga sa mësohet, trajneri Zmijani ia ka përcjellë lajmin drejtorit sportiv Armir Grima, duke shprehur edhe keqardhjen për largimin e tij nga skuadra. Gilman Lika ka kërkuar dje të marrë lejen e kalimit nga klubi shkodran, duke e zyrtarizuar kështu edhe me dokumente largimin nga Vllaznia. Por dje nuk ka qenë i pranishëm në Shkodër administratori i Vllaznisë, Neritan Kalamishi, kështu    që kjo procedurë është shtyrë për sot.

NEGOCIATAT – Largimi i Gilman Likës nga Vllaznia në fakt ka kohë që përflitet. Fillimisht atë e kërkoi me insistim Partizani, madje e kishte edhe në planet e ndeshjeve të Kupave të Europës, por këmbëngulja e drejtuesve të Vllaznisë, veçanërisht e trajnerit Luan Zmijani, bënë që ai të mos lëvizte nga Shkodra për momentin. Klubi, ndonëse në vështirësi financiare, realisht sakrifikoi jo pak për të plotësuar kërkesat e mesfushorit, por Gilman Lika, si profesionist, kishte si kusht qëndrimi edhe formimin e një skuadre cilësore dhe pretendente për Kupat e Europës. Dhe duket se pikërisht ky kusht ka sjellë largimin, pasi për momentin Vllaznia ende nuk është formatuar dhe limiti i lënë nga palët në negociatat e tyre ishte fundi i muajit. Në këtë situatë, Lika ka marrë vendimin për t’u larguar nga Vllaznia dhe destinacioni është kryeqytetit, por jo Partizani. Shkodrani do të rivishet bardheblu. Ai do të kalojë te Tirana, ku, krahas të tjerave, në këtë mes duket se ka ndikuar edhe likuidimi i një shifre financiare të prapambetur nga klubi kryeqytetas karshi futbollistit në fjalë. Drejtuesit e Tiranës kanë nxituar t’ia plotësojnë këtë kusht për ta joshur mesfushorin e talentuar, të cilin e kanë pasur pjesë të tyre dy-tre vjeçare, përpara se të largohej në Arabinë Saudite. Lika u kthye në Shqipëri me fanellën e Flamurtarit, ndërsa gjysmën e sezonit që shkoi luajti për skuadrën mëmë, Vllazninë.

Përshëndetja me skuadrën

Ashtu si në të gjitha seancat e tjera të mëparshme stërvitore, edhe në të djeshmen Gilman Lika ishte ndër të parët që u paraqit në fushën sportive “Reshit Rusi”. Por këtë radhë jo për t’u stërvitur. Ai është përshëndetur me shokët e skuadrës dhe stafin teknik. Një moment aspak i dëshiruar, jo vetëm për kuqeblutë, por edhe për vetë Gilman Likën, i cili donte ta shprehte qartë se një lëvizje e tillë u bë jo me vullnetin e tij, por në një farë mënyre i diktuar nga rrethanat e krijuara. Nga sa mësohet, largimi i tij drejt kryeqytetit për t’u riveshur bardheblu duket krejt i sigurt, por, për zyrtarizimin duhet pritur paraditja e sotme, kur Lika do të paraqitet në zyrat e klubit Vllaznia për të marrë nga dora e administratorit Kalamishi dokumentin e lejes së kalimit.

7

lojtarë janë larguar nga skuadra e Vllaznisë gjatë merkatos. Tafili, Dema, Boci, Hajdari, Gocaj, Sykaj dhe së fundmi Lika kanë vendosur të vazhdojnë karrierën në ekipe të tjera.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.