Gilman Lika: Jemi Vllaznia, të motivuar deri në finalen ndaj Bylisit!

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika është në një linjë me trajnerin Agim Canaj, sa i përket situatës në skuadër pas humbjes me Dinamon në fundjavën e shkuar. Kritikat e trajnerit ai i mendon të vlefshme, sepse kampionati për Vllazninë përfundon në ndeshjen finale të Kategorisë së Parë me Bylisin, e cila është synimi i fundit për shkodranët në këtë kategori. Në deklarimin e tij për Sportekspres.com, Lika thekson se duhet të luajnë me më shumë impenjim për të ruajtur formën e mirë deri në atë finale.

HUMBJA ME DINAMON – “Nuk duhet të humbisnim me Dinamon, besoj se ka qenë një ndeshje jo në impenjimin e zakonshëm. Trajneri Canaj ka të drejtë kur thotë se kampionati për ne nuk ka mbaruar, dhe që të jemi plotësisht të gatshëm deri në ndeshjen finale me Bylisin. Duhet të angazhohemi maksimalisht në këto ndeshje të mbetura. Jemi Vllaznia dhe deri në fund duhet të luajmë me këtë motiv.”

NDESHJA E RADHËS – “Transferta në Lezhë është e vështirë, por ne shkojmë aty vetëm për fitore. Nuk mund të lëshojmë në lojën tonë nga fakti se e kemi siguruar vendin e parë në grup. Me Besëlidhjen mendoj se do të jetë një test i mirë edhe për ndeshjen finale me Bylisin, ndaj përqendrimi ynë duhet të jetë maksimal për fitoren”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *