Gëzimet dhe hidhërimet, Bare tregon ditët spanjolle: Liverpulit nuk i shënoi “vjehrri”!

Keidi Bare mbeti në Spanjë këtë verë, teksa nga Atletiko e Madridit kaloi te Malaga. Në fundjavë ai provoi të luante me ekipin e parë dhe në fakt nuk e priste. “Ishte një moment që nuk e prisja dhe aq më tepër përballë një rivali kaq të madh si Saragoza. Në futboll ndodh gjithçka dhe ka vend për gjithçka. U çudita shumë. Gjithmonë, kur të shfaqet një mundësi, duhet të jesh aty”.

KALIMI TEK ATLETIKO – Gjithçka ka nisur nga Gjeorgjia në vitin 2013. Bare u testua në Tbilisi dhe bindi: “Po, u stërvita katër ditë në “El Cerro del Espino”, më pas kalova një provë, ku luajta për Atletikon. Gjërat shkuan shumë mirë dhe u cilësova si mesfushori më i mirë i turneut”.

Ndihmën më të madhe ia ka dhënë Xhemal Mustedanagiç: “Në ekipet kombëtare të moshave kisha një trajner kroat, Mustedanagiç, i cili më ndihmoi shumë dhe më rekomandoi që të flisja me menaxherin për të shkuar atje. I jam shumë mirënjohës”.

Lidhja me vajzën e Muno Burges është komentuar shumë në Spanjë, pasi ai është zëvendëstrajneri i Atletikos. Gjithsesi për Barën asgjë nuk i është dhuruar. “Erdha te Atletiko me këmbët e mia dhe golin kundër Liverpulit e shënova unë, jo Mono Burgos”, shton fieraku.

PEZULLI DHE LARGIMI – Vjet Bare u pezullua për një periudhë të gjatë dhe normalisht ai dënim me 9 ndeshje e ka bërë të reflektojë. “E vërteta është, që për shkak të kësaj kalova shumë kohë të këqija. Padyshim ishin momentet më të këqija të jetës time. Nuk ndjehesha mirë duke u stërvitur dhe as me veten. Nuk e kam të zakonshme të bëj gjëra të tilla dhe u çudita edhe me veten. Vazhdoj të pendohem për atë që kam bërë”.

“Kishte të bënte incident me largimin? Jo, unë po kërkoja diçka të re. Doja një mundësi për të provuar nëse unë vërtet vlej ose jo për të bërë këtë gjë. Prandaj doja të largohesha nga aty”, shprehet Bare, i cili pyetet edhe nëse do të donte të luante në La Liga.  “Sigurisht. Kujt nuk do t’i pëlqente? Me punë arrihet gjithçka. Kur erdha unë, asnjë shqiptar nuk ishte. Më pas erdhi edhe Sadiku te Levante, por nuk vazhdon më aty”.

IDHUJT DHE GËZIMET NË FUTBOLL – Bare, ashtu si çdo i ri, ka shembujt dhe idhujt e tij. Ka pasur mundësinë t’i shohë edhe në stadium. “Kam pasur shumë idhuj, por më pëlqejnë shumë Iniesta dhe Modriç”, shprehet mesfushori.

Mes të tjerave, në intervistën e dhënë për “Diario Sur”, ai zbulon edhe momentet më të lumtura në futboll: “Kur arrita të debutoja me Atletikon, në Kupë, kundër Las Palmas, në atë kohë isha 19 vjeç. Gjithashtu, goli në finalen e Audi Cup përballë Liverpulit, si dhe debutimi si titullar me Malagan pak ditë më parë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *