George Haxhi, gjeniu që fitoi i vetëm titullin në Rumani

0

George Haxhi është futbollisti më i madh i historisë së Rumanisë, por tani e tutje nuk do të njihet vetëm kështu, sepse mund të konsiderohet edhe një “arkitekt” suksesi, një gjeni i vërtetë që ndërtoi nga hiçi një klub futbolli dhe për pak vite e shpalli kampion. Bëhet fjalë për Vitorulin, klub i vogël në Konstanca, që u themelua në vitin 2009, e nisi si akademi nga kategoria e tretë, u ngjit në Ligën 1 në sezonin 2012/13, debutoi në Europa League verën e shkuar dhe u shpall kampion para pak ditësh. President, trajner, drejtor akademie, skaut: të gjitha i bën George Haxhi!

E dua shumë futbollin, do të themeloj klubin tim, që të mos poshtërohem nga të tjerët. Do të bëj atë që kam mësuar në Madrid, Barcelonë dhe në Itali”, deklaronte bujshëm George Haxhi para 8 vitesh, kur nisi aventurën e çmendur, që bëri të buzëqeshnin shumë njerëz. Deri atëhetë Haxhi kishte dështuar si trajner, te Steaua dhe më pas te Gallatasarai. Me presidentët e vendeve si Rumania e Turqia nuk është e lehtë të punosh, të gjithë duan të bëjnë rolin e trajnerit dhe të urdhërojnë cilin duhet të hedhësh në fushë. Vetë Haxhi tani e bën këtë gjë, por jo duke i ndërhyrë trajnerit: e bën vetë, edhe pronarin, edhe trajnerin. “Më duket gjithçka shumë e çuditshme. Kam përjetuar shumë momente të bukura si futbollist, por tani është ndryshe. Nuk është se nuk dua të festoj, por jam thjesht shumë i lodhur, sidomos mendërisht. E di që tani do të vijë periudha e vështirë. Të gjithë do të duan më shumë prej nesh. Një ditë pas festës së titullit shkova të shoh skuadrën U-19, që është në gjysmëfinalet e kampionatit”, tregon Haxhi, pas suksesit të pabesueshëm në Rumani, ku u shpall kampion duke lënë pas një përbindësh si Steaua dhe pronari i saj Xhixhi Bekali.

Festa vazhdon: “Çfarë emocioni, të shoh tani njerëzit e Konstancës të festojnë. Jam shumë i lumtur. Vetëm unë dhe familja ime e dimë sa e vështirë ka qenë dhe çfarë periudhe të çmendur kemi përjetuar. Më vjen të qaj kur mendoj që vajza ime Kira është në Amerikë për studime dhe djali im Janis është në Firence, për të mësuar të bëhet futbollist. Më merr shumë malli për ta dhe këto ditë më shkruan mesazhe emocionuese. Të dy më kujtuam punën që kam bërë këto vite dhe përkushtimin që kam ndaj futbollit”.

Tani vjen një ëndërr që quhet Champions League: “Është herët për të folur për këtë. Duhet të përgatitemi mirë, të marrim lojtarë të rinj dhe më pas do të shohim. Gjithçka bëhet me punë”.

Programim për të ardhmen: “Nuk më frikëson fakti që më të mirët do të largohen. Ka qenë gjithnjë kështu. Koman (19 vjeç), Nedelku (20) e Benzar zor se do të qëndrojnë, sepse kanë oferta shumë të mira. Por unë nuk kam frikë, kam 300 djem në Akademinë time, 4 për shembull sapo janë grumbulluar në kombëtaren Under-15. Problemi është se jam vetëm: bëj merkaton, trajnerin, shefin e sektorit të të rinjve, zbuluesin e talenteve… Këta djem janë rritur këtu. Benzar, kapiten në moshën 25-vjecare, luan prej 12 sezonesh me ne, jeton më shumë në klub sesa në shtëpinë e vet. Koman është njësoj me Mbapenë, për mua. Ka shënuar 6 gola në kampionat, por është rumun dhe nuk e njeh thuajse askush jashtë Rumanisë. Cilët janë më të mirët e Vitorulit? Ata që do të arrij t’i shes! Bëj shaka. Kur ke 2-3 fëmijë, si mund të bësh dallime? Unë kam 300 fëmijë”.

Haxhi ka një model fiks trajneri në mendje: “Kam mësuar shumë nga Johan Krujf te Barcelona. Ai është modeli im në stol. Është e vërtetë që kam mësuar pak nga të gjithë, jam i lumtur që kam punuar me Mirçea Luçeskun, por nga Krujfi kam kopjuar shumë, edhe fjalët e tij i përsërit shpesh. I kam gjithmonë në kokë. Ai më ka bërë të ndiej, të jetoj dhe të luaj një futboll fantastik”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here