Gentian Mezani gjen në Turqi “mjeshtrin” që dërgoi Flamurtari në UEFA, tani me fanellë të re

Semir Bajraktareviç ishte një prej lojtarëve që dërgoi Flamurtarin në UEFA për shkak të pagesave të pamarra. Në intervistën e dhënë disa kohë më parë, futbollisti në fjalë paralajmëroi edhe nënshkrimin e ri.

“Edhe pse jam 32 vjeç, unë ende nuk e kam konsideruar pensionimin në futboll sepse ndihem shumë mirë, dhe ju e shihni vetë se lojtarët më të mirë të Premier League të Bosnjes janë ata mbi 30 vjeç, ata janë të gjithë mjeshtër të vjetër të futbollit. E lashë Flamurtarin dhe kam letra të pastra. E paraqita çështjen time në UEFA dhe tani jam duke pritur për një përgjigje për të marrë paratë për atë që kemi nënshkruar dhe firmosur”, do të shprehej Bajraktarevic.

Nuk kaloi shumë kohë për t’u zyrtarizuar skuadra e re. Bëhet fjalë për Çelik Zenicën, e cila gjendet në elitën e kampionatit të Bosnje Hercegovinës. Pas 19 javëve të zhvilluara, kjo skuadër renditet në vendin e 11. Ndeshja e parë e Bajraktarevic do të jetë sërish kundër një ekipi shqiptar, në një test miqësor. Ditën e nesërme është Gjilani i Mezanit që zbret në Antalia të Turqisë për të zhvilluar takimin e tretë përgatitor, përpara rinisjes së Ipko Superliga. /Sport Ekspres/