Gënjeu Barçën, zbulohet varësia e veçantë e Dembele!

Osman Dembele u ble nga Barcelona për shumën e 140 milionë eurove nga Dortmundi dhe francezi u pa si zëvendësuesi i duhur i Nejmar. Paraqitjet e 21-vjeçarit nuk kanë qenë asnjëherë në nivelin e kërkuar, pavarësisht potencialit të padiskutueshëm të tij.

Të enjten e kaluar, Dembele mungoi në stërvitjen e ekipit, duke deklaruar se kishte probleme stomaku. Por, e vërteta është totalisht ndryshe. Siç citon “AS”, lojtari ofensiv është i fiksuar pas lojërave me “play-station”. Ai kishte kaluar të mërkurën në mbrëmje shumë orë duke luajtur me miqtë e tij, ndërkohë që kishte zbardhur dita tjetër.

Dembele kishte harruar të vinte zilen e zgjimit në telefon, duke mos shkuar në stërvitje. Kjo e fundit ishte programuar të niste në orën 11:00, ndërsa, pasi e pritën gjysmë ore, klubi vendos ta telefonojë për të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.

I gjendur në një moment të keq dhe i pushtuar nga frika e gabimit të bërë, Dembele vendos të gënjejë. “Jam keq nga stomaku”. Barça dërgon menjëherë mjekun, i cili siguron se lojtari nuk kishte asnjë problem të tillë.

E vërteta ka dalë në pah dhe një gjë e tillë ka të mirat dhe të këqijat e veta. Drejtuesit e Barçës ndihen mirë që Dembele nuk është i dhënë pas jetës së natës dhe qëndron gjithë kohës duke luajtur “play-station” me miqtë e tij të ngushtë, por edhe kjo gjë është një fiksim dhe ves i keq.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fiksimi me lojërat kompjuterike është një nga problemet kryesore në listën e tyre të varësive. Drejtues të klubit janë takuar me menaxherin e lojtarit, Musa Sisoko, dhe tema kryesore ka qenë varësia e fortë e lojtarit me lojërat. Klubi spanjoll dëshiron ta zgjidhë këtë problem dhe lojtari duhet të fillojë të luajë më shumë në fushë, e më pak përpara kompjuterit. Përndryshe, e ardhmja e tij do të jetë larg “Camp Nou”-t.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *