Gega: Trashi e Asani s’kanë asgjë, gjobat kompetencë e Demit

Skënder Gega, trajneri i Partizanit, doli sot para mediave dhe foli për vazhdimësinë e kampionatit. Fillimisht ai kaloi në “lupë” sfidën e Kupës me gjirokastritët dhe thekson se tanimë luhen 90 ,minuta të tjera ndryshe. “Ka pasur ndryshime në përbërje, sepse veç lodhjes fizike, ka pasur edhe mungesa. Skuadra është paksa e lodhur. Edhe impenjimi ndoshta nuk ka qenë në nivele maksimale, çka nuk justifikohet. Unë nuk dua të humb asnjë ndeshje miqësore. Luajtëm, por nuk bëmë zgjedhjet e duhura. Tani nuk mendojmë për Kupën, jemi 150 për qind te kampionati. E kemi forcën për t’ia dalë”, thotë mes të tjerash kreu i pankinës së kuqe.

MUNGESAT – Në Gjirokastër Partizani nuk kishte disa titullarë: “Mungesat kanë qenë të shumta në dy ndeshjet e fundit. Besoj se do rikthehen 2-2 lojtarë të rëndësishëm. E rëndësishme është që të rikuperohen edhe të tjerë, Kemi ndeshjes edhe në mesjavë. Gjithsesi një pjesë e madhe e ekipit po ndjen lodhjen, pasi nuk kanë bërë pushim. Hila është kthyer, Bardhi do të kontrollohet sot. Më vjen keq, uroj që të jenë gati sa më shpejt, sepse kanë vrapuar shumë dhe janë të rëndësishëm. Hebaj? Uroj të jetë gati për fazën tjetër”.

“Lodhja është më e madhe fizike apo mendore? Lodhja fizike ndikon edhe tek ajo mendore, natyrisht. Skuadra është në një moment që po luan shumë ndeshje e po sforcohet, edhe gjërat nuk dalin ashtu si duam ndonjëherë”.

NERVOZIZMI – “Asani nuk ishte i kënaqur me lojën, me veten e vet, ndoshta më ekipin, por ky nuk është problemi i tij të zgjidhë problemet e klubit. Është lojtar i rëndësishëm, që ka kualitet dhe kontribut. Me rëndësi është që nuk ka diçka me klubin, por me veten e vet. Mënyra se si reagoi nuk është e këndshme. Kemi bërë një analizë, kam biseduar me atë dhe e rëndësishme është të mos përsëriten dhe të japë kontribut në vazhdim.

“Gjobat? Janë kompetenca të presidentit masat. Ai nuk para merr masa, është njeri që dëgjon. Ai nuk ndërhyn shpesh, por ka një marrëveshje me lojtarët për disa objektiva. Nëse merr masa, është e drejta e atij dhe është e drejtë. Asani dhe Trashi do jenë në fushë këtë fundjavë, nuk ka asnjë problem. Nuk kanë bërë asgjë për të menduar për ndëshkim”.

PREMIO NGA RIVALËT – “Jam trajner i Partizanit, nuk kam asnjë post tjetër veç trajnerit. Do kisha dëshirë të merrja gjërat parasysh nga ana teknike. Madje edhe në këtë aspekt nuk i di të gjitha, kam nevojë të mësoj. Nuk më takon mua kjo, por as klubit. Bëjmë punën tonë, nuk kemi asnjë aleancë. Aleanca jonë është Partizani. Të tjerët kanë mënyrat e tyre për të ecur. Ne kemi ardhur deri këtu falë punës”.

TROFEU DHE TITULLARËT – “Kemi përpara 9 finale, kaq mjafton. Jemi më afër se gjithë të tjerët. Nuk ka sekrete. E kemi ëndërr dhe duan ta bëjmë realitet. Luftëtari është finalja e parë. Më mirë të mendosh për ndeshjen e radhës, kaq. Nuk parashikojmë dot çfarë ndodh pas katër javës. Duam fitore, pa asnjë dëmtim. Se sa fitore na duhen për titullin, varet nga kundërshtarët. Shkallët ngjiten një nga një, kush kërcen shumë rrezikon.

“Titullarët? Ata na kanë çuar deri këtu. Jo rastësisht 11 lojtarë kanë luajtur me shumë nga të tjerët, nuk mund të kemi 25 lojtarë në të njëjtin nivel, disa janë më të rëndësishëm dhe më cilësorë. Normalisht ka diferenca. Edhe ata që kanë luajtur më pak kanë bërë më të mirën e tyre. Kemi të rinj pa eksperiencë, që kanë nevojë për minuta dhe të përshtaten. Mendojmë për kampionatin, do fusim më të mirët”.

DHUNA – “Unë punoj në një ambient shumë komod e të qetë, të tjerat nuk na takojnë. Jemi munduar të jemi shembullorë, duhet sjellje perfekte, besoj se jemi në rrugën e duhur. Me vjen keq për ato që po ndodhin, është një kulturë e ndërtuar ndër vite. Do doja të mos ndodhte asgjë”.

KUKËSI RIVAL – “Ne bëjmë garën tonë, respektojmë çdo kundërshtar. I llogaritim kundërshtarët, nuk luajmë me veten. Rivalët kanë vlerat e tyre. Nëse nuk do kishte rivalë, nuk do kishte shumë vlerë. Kam respekti për të gjithë, duke nisur nga Kukësi. Është kampionat shumë i ngjeshur, pa diferenca të mëdha”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *