Gega: Nuk është Kukësi barometri, presioni në anën e kundërshtarëve

Trajneri i Partizanit Skënder Gega ka folur në konferencën për shtyp në prag të sfidës me Kukësin. Tekniku tropojan është ndalur në disa pika, ku ka komentuar gjendjen e skuadrës së tij, por dhe faktin se ndeshja do të luhet në një orar dhe ditë të pazakontë, apo dhe për çmimin e  kripur të biletave.

Kukësi vjen pas humbjes me Skënderbeun, mund të jetë momenti i duhur për të përfituar?
Ndeshja mes Kukësit dhe Skënderbeut ishte mjaft e luftuar dhe nuk besoj se kundërshtari ynë i radhës do të zbehet si ekip, edhe pse është mundur. Mendoj se do të japë 100% dhe ne do ta vlerësojmë, pasi është një ekip për t’u vlerësuar.  Ata kanë bërë një histori në vitet e fundit dhe ne jemi gati që të ndeshemi dhe të japim më të mirën.

A mund të ndikojë presioni vendit të parë në përballjen e së hënës?
Jemi mundur dhe kemi punuar që ta largojmë presionin, pasi jemi të ndërgjegjshëm të gjithë në skuadër se do të përballemi me çdo skuadër që kemi luajtur dhe tre herë të tjera. Është vetëm fillimi dhe duhet të jemi me këmbë në tokë. Rritet presioni gradualisht, por kjo është vetëm sfida e radhës.

Si arrini që ta kontrolloni euforinë në skuadër?
Flasim vazhdimisht, punojmë dhe korrigjohemi, edhe pse në ndeshjet e fundit kemi bërë një performancë të mirë. Është një ndeshje tjetër tani, një pamje tjetër dhe uroj të hymë me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën dëshirë.

Mendoni se më shumë presion keni ju që jeni kryesues apo Kukësi që vjen nga një humbje?
Rezultatet e kundërshtarëve direkt nuk ka vend për presion. Kemi objektivat tona. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Presioni mund të jetë tek kundërshtarët pasi vijnë pas një humbjeje. Dëshira dhe ajo që ne duam është të jemi 100% fizikisht mirë dhe të fokusuar, më pas ja lëmë 90 minutëshit gjithçka tjetër.

Tani që jeni kryesues, mund ta thoni që do jeni pretendent për titull?
Nëse kampioni do të mbaronte pas dy javësh do ta thosha që jemi për titull se jemi 3 pikë para, por kemi dhe nga 3 ndeshje me çdo kundërshtar. Çdo gjë mund të ndryshojë në dy javë, por uroj mos të ndodhë kurrë. Kemi një kampionat mjaft të ngjeshur dhe të fortë. Pjesa më e madhe e skuadrave janë kandidatë ose janë shumë afër. Qëllimi ynë është të jemi lart dhe duhet kohë.

Ju ndihmon eksperienca që keni punuar me të rinjtë e Kombëtares për të menaxhuar dhe lojtarët e Partizanit, duke ditur se në skuadër keni shumë element në moshë të re?
Është e vërtetë që kam punuar me 21-vjeçarët. Është një situatë tjetër nga klubi, pasi këtu i ke në dispozicion lojtarët çdo ditë të javës. Jam i kënaqur pasi në fillim jemi takuar me lojtarë me eksperiencë që kanë peshë në klubin Partizani dhe kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Është më e lehtë të punosh me moshën e re, pasi vijnë me një dëshirë të madhe dhe nëse ne i tregojmë dhe objektivat dhe detyrat është shumë e lehtë. E rëndësishme është që të kenë progres dhe mund të them se te Partizani ka shembuj të mirë, që mund të eliminohet ballafaqimi me mua, pasi të luash krah Telushit, Hoxhës e Trashit është benefit i madh. Liderët që kemi në skuadër janë në gjendje të mirë dhe mua më ndihmojnë si trajner.

A është Kukësi një barometër për Partizanin pretendent për titull?
Nuk besoj se është barometër, pasi është ndeshja e radhës ku duhet të marrim maksimumin. Është ndeshja e parafundit e fazës së parë. Numri i lojtarëve pretendent po rritet edhe në stol. Na bën të jemi optimist dhe ne shkojmë për fitore dhe nuk kemi asnjë qëllim tjetër, por është futboll dhe duhet të ja lëmë fushës.

Duhet të presim ndryshime në sulm, duke ditur që Mensah po shënon, ndërsa Hebaj ende nuk e ka gjetur golin?
Jam i kënaqur që Mensah ka ardhur tek goli. Lojtarët kanë shërbyer dhe kjo është e rëndësishme për mua. Hebaj nuk e ka gjetur golin, por ne punojmë çdo ditë. Nuk është absolute zgjedhja që bëjmë. Skuadra është gati. Duhet të edukohemi me veprimet që janë në të mirë të klubit dhe ekipet. Në këtë prizëm unë nuk ndryshoj mendim, pasi çdo njeri për aq kohë sa ka mundësi duhet të japë maksimumin.

Shikoni ndonjë prej lojtarëve të Partizanit që besoni se meriton Kombëtaren?
Rezultat do të tregojnë nëse është gabuar apo jo. Është kompetencë e tij se kë lojtar afron dhe koha do e tregojë. Them se ka lojtarë jo vetëm Partizani, por dhe skuadrat e tjera në Superiore që kanë vlera t’u afruar në Kombëtare. Kam dëgjuar në media emra si Telushi, Trashi, Asani, por nuk më kanë thënë se kanë këto pretendime apo kanë ulur ritmin e punës. Nuk janë të shqetësuar. Për mua e rëndësishme është të bëjnë më të mirë për skuadrën. Një ditë si me Panuçin si pa Panuçin, ai që luan futboll do të shkojë aty ku duhet një ditë.

A është normale që ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave të luhet të hënën në mesditë?
Është e vërtetë, është shqetësim. Kjo nuk është zgjidhja jonë. Më shqetëson se duhet të ndryshojmë regjimin tonë. Kundërshtari këtë do të bëjë gjithashtu. E rëndësishme është që të jemi gati në çdo situate, pasi nuk ka kthim pas. ky orar do e pengojë lojtarin e 12-të. Lojtarët kur dalin në nxehje i shohin dhe i numërojnë tifozët dhe uroj të jenë në një numër sa më të madh, pasi mbështetja e tyre do na ndihmonte për të arritur qëllimin.

Mund të jetë kjo një manovër e kundërshtarëve?
Do luajmë në të njëjtën fushë dhe në të njëjtin orar, nuk besoj se e kanë bërë diçka të tillë me qëllim. Nuk më ka shkuar në mendje dhe nuk më intereson. Nëse do ishim ne do vepronim ndryshe, do vepronim në favorin tonë. Nëse e kanë bërë në favorin e tyre është pjesa e tyre.

Është përfolur për një kalim tek Kukësi në të shkuarën, çfarë nuk shkoi?
Është diçka e shkuar dhe asgjë nuk përfundoi sepse nuk shkoi as deri në gjysmë. Ishte dëshira e dy palëve. Unë vijoj e respektoj Kukësin, pasi është një klub me vlera. Do isha gati të punoja, por nuk ishte momenti dhe sot jam në shtëpi në time dhe ishte më mirë që nuk u bë.

Kukësi ka rritur çmimet e biletave për këtë ndeshje, mund të jetë një manovër për të penguar tifozët e Partizanit?
Nuk e di, nuk i di manovrat. Lexoj lojën, jam i drejtpërdrejtë me lojtarët e mi, ndërsa për të tjerat nuk kam i interesuar. Biletat këtu duhet të jenë më të lira, të t’i krijojmë mundësinë njerëzve të vijnë tek sporti, pasi jo çdo kush ka mundësinë për të shkuar në Elbasan e jo më të blejë një biletë të shtrenjtë duke ditur gjendjen ekonomike këtu.

Mund të themi se reparti i mbrojtjes është çelësi i suksesit?
Disa lojtarëve që janë konsideruar të rinj kanë eksperiencë. Kemi frymën e grupit dhe kur mbrohemi si skuadër. Grupi po funksionon në dy faza, pasi edhe sulmi është mbështetur nga pjesa tjetër e skuadrës. Merita kryesore është e ekipet, por dhe elementë të ndryshëm që kanë pasur probleme tranzicioni si Bardhi dhe Asani po bëjnë mjaft mirë dhe po e ndihmojnë skuadrën shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *