Gega nuk duron më: Nuk e dija se na kanë kaq frikë!

0

Skënder Gega foli në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes me Teutën. Numri një i “demave” komentoi vendimin e Disiplinës për të mbyllur dyert e stadiumit me Kukësin, por nuk la jashtë vëmendjes dhe masën që është marrë për Alban Hoxhën.

Duke qenë se jemi në një pikë kyçe të kampionatit, a mund të vendosë shumë kjo sfidë?
Është një ndeshje si gjithë të tjerat. Kemi dhe dy ndeshje të tjera për gjysmën e kampionatit. E shohim këtë takim si ndeshjen e radhës. Është një ndeshje e fortë dhe ne e vlerësojmë shumë kundërshtarin. Kemi vlerat tona dhe forcën tonë. Do të shkojmë në Durrës me qëllimin vetëm që të fitojmë.

Duhet të presim ndonjë ndryshim për këtë takim, duke qenë se Malën mund ta shohim në vendin e Ibrahimit?
Nuk kemi vendosur asgjë deri tani. Para ndeshjes do ta zbulojmë formacionet. Kemi menduar lëvizje të vogla. Kemi 18 lojtarë të gatshëm.

Mund ta shohim Hebajn që nga minuta e parë?
Hebaj është sulmues ‘race’.  Është pjesë e grupit dhe jemi të kënaqur që shënoi dy gola. Nëse e shohim se do të jetë gati, do të jetë titullar.

I druheni faktit se mund të prishen ekuilibrat në skuadër duke bërë s’postime në fushë?
Nuk mund të bëj parashikime. Do të shoh për Malën, do ta shohim në stërvitje. Mala adaptohet shumë mirë dhe në të shkuarën ka luajtur në të mbrojtje. Do të ishte mirë që të ishte dhe Ibrahimi.

Do të jetë një stadium i mbushur në Durrës…
Ne gëzohemi nëse stadiumet janë plot me tifozë. Është nxitje për të luajtur më mirë, për të shprehur ‘fair-play’. Unë e dua stadiumin plot, qoftë dhe kundër nesh, pasi vetëm nxitemi.

Keni një thirrje për tifozët?
Unë u bëj thirrje këtu tifozëve, para medieve, që të mos tërhiqen edhe pse kanë lajme të hidhura se nuk do të jenë ndaj Kukësit. Ata janë pjesë jona e rëndësishme. Durrësi është shumë afër dhe luajmë si në shtëpinë tonë.

Duke marrë në konsideratë faktin se Skënderbeu është i dënuar nga UEFA, mund të thuhet se Teuta është rivali juaj për titull?
Jemi në gjysmën e punës, në gjysmën e kampionati. Është një rrugë shumë e gjatë dhe nuk e vë gishtin tek asnjë ekip. As unë që jam në vendin e parë, besoj se nuk janë gjërat edhe aq të lehta.

Fitoren më të thellë këtë edicion e keni me Teutën…
Uroj që të shënojmë një gol, uroj që topi ta kalojë vizën. Ne shkojmë për tre pikë.

Mendoni se të dyja skuadrat janë në kushte të barabarta?
Duke qenë se jemi aty-aty do mundohemi që të jemi të kujdesshëm dhe të dalim pak sipër atyre, duke qenë të fokusuar, duke qenë vigjilent gjatë gjithë kohës. Ndeshja e kaluar ka qenë ndeshje e kaluar dhe nesër do të jetë një ndeshje tjetër.

Ndjeni keqardhje që tifozët do u mungojnë në ndeshjen e radhës në shtëpi?
Ata janë lojtari jonë i dymbëdhjetë, aq më tepër tifozët e Partizanit, të cilët i japin bukuri stadiumeve. Në derbi tifozët u sollën mjaft mirë. I dhanë atmosferë derbit. I kishim shtysë të madhe. Pa tifozë është bosh. Uroj që të ndryshojnë gjërat deri me Kukësin. Nuk besoj se tre adoleshentë, të cilët nuk shkaktuan dhunë, vetëm përqafuan lojtarin që shënoi gol. Nuk mund të quhet dhunë., Dhuna është tjetër, kur ndërpritet gara, kur ka dhunë ndaj arbitrit apo sportistëve. Të shkosh e të përqafosh një lojtar dhe të largohesh në 30 sekonda nuk them se është dhunë. Klubi ka gjuhën e vet si do ankohet. Më vjen keq që ndodh për të disatën herë, pasi unë dua tifozët.

A mos është një rast precedenti…
Nuk them se është shembull i mirë, por ka apelime, ka tolerime dhe investigime se sa e kanë dëmtuar ndeshjen. Ata u futën dhe dolën, pa e ndërprerë ndeshjen. Ata që e marrin përsipër të organizojnë ndeshjen duhet të jenë më vigjilent. Është puna jonë, djersa jonë. Me tre djem të ri nuk është normale që të na dënojnë.

Jeni dënuar prej mjeteve piroteknike…
Të gjithë shohim se çfarë ndodh. Nëse sheh në një ekip futbolli, në një familje nuk është asgjë e përkryer. Të gjithë e shohim se çfarë ndodh në stadiume. Nuk na pyet njeri nëse kemi ujë të ngrohtë apo të ftohtë. Të mos na i heqin tifozët. Nuk e dija se e kanë kaq frikë Partizanin, që do e pengonin në çdo mënyrë. Lojtarët janë grup dhe jemi si një familje. Jemi në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike. Që kur kam ardhur nuk kam premtuar fitoren e titullit, por vetëm ndeshjen e radhës.

I druheni gjykimit? Kush u ka frikë, duke qenë se e përmendët më lart?
Ju e shikoni vetë se kush na ka frikë. Në çdo lloj mënyre kundërshtarët mundohen. Nuk shoh ndeshjet e dënimet e kundërshtarit. Mënyra si po dënohemi dhe po ndëshkohemi i përfshin të gjithë faktorët.

Jeni vlerësuar për punën tuaj nga “ish”-ët e Partizanit…
Unë i falënderoj. Nëse kanë këshilla i falënderoj për herë të dytë. Nëse kanë kontribuar në të shkuarën për Partizanin sërish i falënderoj. Unë jam trajneri i Partizanit. Qëllimi im është ndeshja e radhës dhe do ia lëmë kohës. Sugjerimet janë dashamirëse dhe kaq.

Ka një ndryshim politikash nga FSHF-ja?
Mos të merret sjellja e mirë për dobësi dhe as super modesti. Në po mundohemi që të kemi një politikë që të japim një mesazh për të gjithë që çdo gjë të jetë me profesionalizëm. Nëse kjo shqetëson federatën, nuk është problemi ynë. Nuk ka asnjë lloj politike, po bëjmë punën tonë.

Mund të rrezikoni që me rastin e Hoxhës që nuk u veprua si me Trashin të krijohet një precedent i ri?
Është diçka e kaluar. Rasti i Trashit ishte në fushë, në ekip. Rasti i Hoxhës ishte jashtë fushe, në orët e lira. E ka tepruar pak, nuk e di me dozën e alkoolit. Në fushë ka qenë ekselent. Si trajner e kam kompetencën që ta aktivizoj. Masën e merr klubi me trajnerin. Masa ishte për t’i hequr shiritin dhe vendimi ishte për të luajtur.

 

VLADIMIR PRENGA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.