Gega: Na u mohua penallti, kështu e motivova skuadrën

Fitorja e shtatë në tetë javët e fundit të kampionatit dhe e pesta me radhë në Kategorinë Superiore. Partizani i këtij sezoni nuk di të ndalet dhe e mbyll fazën e parë të kampionatit në krye. Pas suksesit ndaj Luftëtarit, për programin “Gol Pas Goli” në “SuperSport” trajneri Skënder Gega u shpreh mjaft i kënaqur me rezultatin dhe ecurinë e skuadrës.

“Personalisht e kam menduar një ndeshje të vështirë. Ndaj Partizanit të gjitha skuadrat vijnë më të motivuara dhe historikisht në kryeqytet ekipet e rretheve vijnë të shfaqin gjithçka. Megjithatë, jam i kënaqur nga tre pikëshi dhe nuk mund të pretendojmë që në tetë javë të kemi të njëjtën performancë. Jemi në rrugën e duhur dhe do të mundohemi të përmirësojmë gabimet tona”.

“Ka kohë që parashikohej që Partizani do e pësonte këtë gol. Mënyra sesi erdhi goli nuk më pëlqeu, seopse nuk duhej ta komplikonim situatën. Por, ka lojtarë më profesionistë që gabojnë. Rëndësi ka që ekipi merr përgjegjësi edhe deri në fund jep maksimumin”.

“Kur hymë në dhomat e zhveshjes, nuk doja të shikoja asnjë me kokën ulur, sepse nuk e kam për natyrë të dorëzohem. I fola, që jemi në barazim 1-1, lojën e nisëm në barazim. Nuk duhej të ndiheshim të fyer dhe nuk jemi ekip që askush nuk mund të na shënojë. I kërkova ekipit të luante me disiplinë dhe agresivitet dhe në fund mundi u shpërblye”.

“Një sulmues veç Hebaj e Mensah? Hebaj doli në nxemje dhe nuk u aktivizua. Për të qenë i sinqertë, aktivizoj atë që më jep siguri në stërvitje dhe ka dhënë maksimumi. Nuk kam asnjë lloj paragjykimi, si nga mosha dhe nga e kaluara. Edhe zëvendësimet që bëm nuk ishin perfekte. Por do të mundohem ti mbështes të gjithë lojtarët, sepse kemi edhe tre faza. Për merkaton mund të them se jemi ende në tetor, deri në janar shumë gjëra mund të ndryshojnë. Duhet të jemi të përqendruar te ky grup, Hebaj, Bardhi dhe Mensah, të cilët mund ta ndihmojnë ekipin. Por, do të ulemi me drejtuesit për atë që mund të bëjmë më të mirën. Patjetër që gjithkush e ka derën e hapur. Mund të jetë sulmues, organizator aopo në çdo repart, e rëndësishme është që ti shërbejë skuadrës”.

“Episodet e ndeshjes? Të jem i sinqertë, në momentin e parë nuk e kam parë Bardhin. Ka një kontakt fizik, por nuk besoj që shkoi me qëllim te portieri. Edhe po ta jepte faull mund të ketë qenë 50-50, nuk jam ekspert. Ka patur edhe raste më flagrante dhe jam munduar ti mbyll aty për aty”.

“11-metërshi i padhënë për Partizanin? U mundova ta sqaroj me arbitrin e katërt, janë njerëz të mirë. Ka shumë lloj variantash, dora e hapur apo dora e mbyllur. Për mua është e thjeshtë: nëse topi shkon në dorë dhe ndryshon drejtimi, mund të jepej penallti. Për mua ishte penallti, por mbaroi aty për aty dhe loja vazhdoi. Penalltia e dhënë? Jam trajner i Partizanit, por një rast i tillë na ka ndodhur flagrante në Laç, edhe pse nuk dua ti kthehem. Mbrojtësi i Luftëtarit shkoi te trupi i lojtarit tonë”.

“Nuk jam njeri që kërkoj të verdha, por më shqetësoi shumë mbrojtësi i djathtë i Luftëtarit, që ishte shumë i ashpër dhe shumë agresiv, mund ta kishte dëmtuar Trashin. Fola me arbitrin e katërt dhe kërkova më tepër kujdes, por edhe në një tjetër episod ndërhyri mjaft fort dhe ndoshta ashtu e ka lojën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *