Gega: Mos abuzoni me fjalët e mia, Partizani s’i ka borxhe askujt!

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka dalë para mediave për të folur për ndeshjen me Flamurtarin, që luhet nesër prej orës 17:00. Të kuqtë kërkojnë rikthimin te fitorja pas humbjes në Laç, ndërkohë që tekniku i të kuqve ka folur para mediave për çështje të ndryshme.

“Është gjë e mirë kur ka shumë gazetarë. Pas disa fitoreve kishte pak gazetarë, tani pas humbjes është rritur interesimi. Por kështu është futbolli, nuk kemi garantuar se nuk mposhtemi. I kemi parë ndeshjet një e nga një. Nuk dua të kthehem te ndeshja me Laçin, mendoj edhe për Vlorën”.

“E morët lehtë Laçin, që kishte humbur ndeshje më të lehta? Nuk e di për Laçin, çfarë zhgënjimesh kanë ata. Kështu funksionon futbolli, klube shumë më të mëdha se ne u ndodhin këto. Çdo gjë ka një arsye. Nuk di kur janë thyer rivalët, më intereson puna jonë. Jemi në rrugën e duhur. Kemi nxjerrë mësimet”.

“Penalltia në Laç? Jetojmë në një vend të vogël ku ka ndikime dhe opinione. Do doja të ishit të drejtpërdrejtë. Nuk duhet të abuzohet me fjalët e mia. Nuk kam thënë që vdiq futbolli. Nuk shkuam ku deshëm, u ul ritmi. Unë nuk dal nga vetja, nuk kam pakt me asnjë. Nuk i kemi borxh asnjërit. Kemi zgjedhur të punojmë dhe duke lënë anash fjalët”.

“Gjendja e ekipit? A është ndeshje e lehtë, merret vesh pas 90 minutave. Ata kanë kualitet, ne jemi në gjendje optimale. Vetëm Hyseni është i dëmtuar, është rikthyer Lum Rexhepi”.

“Përgjigja e skuadrës pas humbjes? Edhe para Laçit ekipi është përgjigjur mirë. Ndeshja ishte tjetër. Punon mirë ekipi. Jam shumë komod dhe me fat që punoj me këtë grup, e njohin përgjegjësinë dhe rri larg presionit. Kemi punuar, kemi parë ku nuk funksionojmë. Kur nisi kampionati nuk kemi qenë 7 pikë para rivalëve. Lojtarët kanë bërë maksimumin dhe po mundohen. Nuk ka asnjë presion”.

“Vetëkënaqësi? Ishim optimistë në Laç. Kishim besim për t’ia dalë. Jo çdo gjë është absolute. Gjatë një ndeshje ka pjesë jo të mira. Ka pasur në derbi, por edhe me Krujën 45  minutat e para. Ekipi është me këmbë në tokë. Janë profesionistë dhe ndaj thashë që jam me fat që i drejtoj”.

“Nuk duam ta kthejmë në traditë që të rikthehemi pas humbjeve. Është rrugë e gjatë përpara. Ia lëmë kohës çdo gjë. Ende nuk kemi luajtur me rivalët? Edhe ata nuk kanë luajtur me ne. Ata janë rivalët tanë. Jemi gati për çdo gjë”.

“Gjici ka thënë që Partizani merret më shumë me Kukësin se me Teutën? E kam thënë, nuk merrem. Me gjithë respektin për Gjicin, nuk kam asnjë koment. Fokusohem te Partizani, kjo është familja ime”.

“Nënvlerësim? Duhet të mos ketë ndikim. Vërtetë mund të kenë ikur lojtarë, por ka të tjerë që mund të kenë dëshirë më shumë. Do marrim masa që çdo lojtar të tyre ta vlerësojmë drejt. Nuk besoj se ata do kenë shumë ndryshime. Vetëm në emra, por jo në mënyrën e lojës”.

“Ibrahimi e Idrizi djathtas? E provuam. Nuk donim që Atanda të shkonte përpara. Janë prova, do ketë mundësi edhe për të tjerë. Uroj të ketë progres. Jo çdo ndryshim sjell fryte menjëherë. Edhe ndërrimet shpesh janë të goditura, shpesh nuk japin rezultat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *