Gega: Më vjen keq për arbitrin, në derbi le t’i japim një mesazh futbollit shqiptar

Partizani siguroi një trepikësh shumë të rëndësishëm për garën e titullit kampion. Të kuqtë mposhtën Flamurtarin 3-1 në një ndeshje plot raste të dyshimta dhe polemika.

Skënder Gega ka analizuar ndeshjen e sotme në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, aty ku komenton fitoren, ndërhyrjen e Trashit, episodin e ndodhur me tifozët dhe derbin kundër Tiranës.

FITORJA – “Sa vjen dhe shtohet presioni, pasi kemi qenë në vend të parë prej shumë kohësh. E filluam ndeshjen në avantazh dhe luajtëm mirë. Pas momentit kur Trashi u ndëshkua me të verdhë, u shpërqendruam. Nuk jam i qartë te goli i pësuar. U vendosëm keq dhe me një top pas shpine u ndëshkuam.”

STOLI – “Patjetër që jam i kënaqur. Ky është ekipi dhe e kam thënë që në fillim se kemi opsione kur kthejmë kokën nga stoli. Jo gjithmonë ndërrimet janë perfekte, por ndonjëherë funksionojnë. Për fatin tonë të mirë, sot funksionoi, sidomos me Hebajn, pasi kemi shumë kohë që duam t’i japim besim.”

TRASHI – “Është një tërheqje në bluze dhe e verdha mund të jetë e drejtë. Por pak minuta më përpara, qenë shumë të ashpra ndërhyrjet ndaj Malës dhe Dukës, por nuk pati karton. Trashi mori të verdhë, vendim që nuk kthehet dhe në derbi do të jetë një mungesë e madhe. 90 minutat shkuan mirë dhe kjo gjë është e rëndësishme. Trashi u gëzua që fitoi ekipi.”

GJYQTARËT – “Asnjëherë nuk i kam paragjykuar gjyqtarët. Kam dhënë mendimin tim teknik, nëse është apo s’është. Nuk është në të drejtën time të them nëse ka gabuar. Më vjen keq nëse ka gabuar.”

APELI PËR TIFOZËT – “Në derbin që kaloi, Hebaj bëri dy gola dhe në fushë u futën 2-3 fëmijë të vegjël, për 30 sekonda. U dënuam! Unë nuk dua të flas për këto gjëra, i takojnë dikujt tjetër. Unë dua që çdo tifoz, pa pasur parasysh moshën dhe statusin, të vijnë dhe të na mbështesin. Unë kam dëshirë që jo vetëm në Tiranë, por kudo në Shqipëri tifozët të jenë ‘Fair-Play’.”

DERBI – “Unë kam respekt për Tiranën. Është ndeshja e radhës dhe një derbi që na jep adrenalinë të dyja palëve. Uroj me shpirt të fitojë më i mirë dhe të japim një mesazh që futbolli na bashkon, e nuk na ndan.”

FORMACIONI – “Edhe Duka, edhe Mensah janë alternativa të mira. Mensah është më i ambientuar, por duke parë që kemi edhe 14 ndeshje, iu jap shansin të gjithëve për të kontribuar. Sot e filluam me Dukën, nesër me dikë tjetër. E rëndësishme është që ai që luan, të japë maksimumin për familjen tonë. Jam shumë i kënaqur që ata që vijnë nga stoli, janë plus. Sa i përket Ibrahimit, mundohem të gjej balancat. Është një lojtar që ka pika të mira, por dhe të dobëta, si çdokush tjetër. Edhe Trashi i tillë është. Asnjë nuk është i pagabueshëm. U bënë shumë sulmues në pjesën e dytë dhe i kërkova të qëndrojë prapa. E rëndësishme është që morëm tri pikë.”

ATANDA-REXHEPI – “Atanda është një alternativë shumë e mirë. Rexhepi është aktivizuar sot me qëllimin që të ambientohet sa më shpejt. Pjesëmarrja e tij në lojë ishte më shumë ambientim. Gabuam, në një moment duhet të ishim më të vëmendshëm. Duke pasur Atandën, e kthyem në mbrojtje, një alternativë shumë e mirë për ne. Kush do të jetë në 100%, do të jetë ai që do të nisi lojën.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *