Gega: Ja çfarë më pëlqeu sot, por fusha ishte katastrofë!

Partizani nuk pati probleme për të fituar ndeshjen e parë me Kastriotin, pavarësisht se Vatnikaj kaloi i pari krutanët në avantazh. Djemtë e Gegës rikthyen rezultatin, fituan 2-4 dhe tashmë janë gati për nisjen e kampionatit.

Trajneri i të kuqve është shfaqur i kënaqur pas ndeshjes së kupës dhe vlerëson reagimin dhe përkushtimin e djemve. Gega nuk e përmend fjalën titull, por ka besim maksimal tek ekipi i tij.

Rinovimi e ka kënaqur, nuk e përjashton një goditje të fundit të klubit në ditët e fundit të merkatos dhe është gati për transfertën kundër Skënderbeut në fundjavë.

Nisi pak keq ndeshja, më pas e rikthyet në favorin tuaj…
-Është një ndeshje që ka problemet e veta. Fusha, pa dashur të ankohem, është jashtë çdo norme dhe parametri për të luajtur futboll. Megjithatë goli nuk ishte faj i fushës, por i vendosjes dhe vëmendjes. Për fat të mirë djemtë e morën seriozisht ndeshjen e Kupës dhe jam i kënaqur nga impenjimi dhe nga mënyra si mbaroi loja.

Ju shqetëson që mund të përsëritet në kampionat diçka e tillë?
-Do bëjmë atë që bëjnë të gjithë, jemi pjesë e kampionatit dhe i kemi pranuar këto kushte. Ne te gjithë i kanë pranuar këto kushte, nuk dalim dot jashtë tyre. Shpresoj të rregullohen gjërat.

Sinjale pozitive nga Hebaj, Rexhepi. Je i kënaqur?
-Është ndeshje kupe dhe mendova që një pjesë që nuk e ka marrë minutazhin që pretendohet, të luajë. Duam t’u japim të gjithëve minutazh. U paraqiten mirë pa përjashtim dhe shpresoj të jenë ndihmë e madhe, si Rexhepi, edhe të tjerët në vazhdim.

A prisni ndonjë lëvizje tjetër?
-Klubi po punon, merkato është e rëndësishme. Unë teknikisht bëj përzgjedhjen. Deri tani kanë shkuar gjërat mirë. Do shikojmë se çfarë do të vijë deri më datë 30. Shpresojmë të na vijë një lojtar i saktë.

Rinovimi, si u prit?
-Kur kam ardhur nuk kam premtuar që do të jem afatgjatë. Çdo gjë e kam marrë në kohën e duhur. Jam i kënaqur, jam i lumtur dhe jashtëzakonisht mirënjohës lojtarëve dhe klubit, presidentit dhe të gjithëve. Do mundohem të punoj me këtë përkushtim, gjërat e tjera pak rëndësi kanë.

Rinovimi erdhi, a mos klubi tani nisi të besojë te titulli kampion dhe te ju personalisht?
Është punë e përbashkët, të gjithë besojmë te njëri-tjetri. Pa besim nuk ecet përpara, kështu që do ia lëmë kohës. Do i marrim gjërat një nga një, siç kemi bërë deri më tani. Grupi po plotësohet, është në gjendje optimale. Për mua është fat të jem mes këtij grupi.

Me atë çka ka dhënë ekipi në fazë dhe tani, a e shikoni gati për të premten në kampionat?
-Patjetër. Kemi luajtur me ekipe të mira, kemi luajtur si të barabartë dhe me personalitet. Ndeshja në Korçë është jashtëzakonisht e fortë, i respektojmë si kundërshtar dhe jemi gati për çdo lloj sfidë. Do mundohemi të marrim më të mirën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *