Gega i zhgënjyer nga “të huajt”: Fokusi tani nga kampionati

0

Portugalia, Izraeli, Greqia, Hungaria dhe modestët e Lihtenshtejnit. Shorti i hedhur në Nion dy ditë më parë nuk duket të ketë qenë edhe aq dashamirës me kuqezinjtë e rinj, që bëhen gati për eliminatoret e Kampionatit Europian për U-21. Finalet e këtij turneu do të zhvillohen në vitin 2017, në Poloni, por për trajnerin e skuadrës Shpresa, Skënder Gega, Shqipëria nuk niset e mundur në këtë kompeticion, përkundrazi.

Shorti – Tekniku doli sot në një konferencë për shtyp për folur rreth misionit të ardhshëm të përfaqësueses shqiptare U-21, duke prekur fillimisht për objektivat. “Në këtë pozicion nuk ka grupe të dobëta, por edhe jo të pakalueshme. Konkretisht janë 2-3 skuadra që konsiderohen më të forta se ne. Grupi është i fortë, në pamjen e parë planet bëhen gjithmonë në letër, por duke u nisur nga eksperienca e vitit të kaluar, ishin disa ndeshje që konsideroheshin të dobëta por nuk patëm sukses, ndoshta edhe me performancë jo të mirë, pastaj gradualisht u rritëm dhe në ndeshjet e fundit kaluam me sukses. Duke u nisur nga kjo duhet të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje”, tha Gega.

Llogaritë – Një grup jo i pakalueshëm është një frazë që në gojën e trajnerit të përfaqësueses së 21-vjeçarëve mund të nxisë euforinë e tifozëve, por Gega e bën të qartë konceptin me të cilin niset Shqipëria në këto eliminatore.

“Llogaritë bëhen në fund, për mua personalisht kryesore është të kalojmë Lihtenshtejnin dhe të triumfojmë ndaj tyre, pastaj deri në shtator do të kemi kohë mjaftueshëm, do të riparojmë gjërat dhe do të jemi gati për sfida shumë më të forta. T’i marrim ndeshjet një e nga një. Ka shumë ndeshje ku konsiderohemi jo favoritë, por do të bëjmë të pamundurën që të paktën në fushën tonë të paraqitemi denjësisht dhe të marrim fitore ndaj çdo kundërshtari”, thekson tekniku i kuqezinjve të vegjël.

Analiza – Analiza e fushatës së eliminatoreve të fundit, ka nxjerrë një mësim që vlen për të ardhmen. Gega paralajmëron më shumë besim për futbollistët e kampionatit shqiptar. “Sezonin e kaluar kemi bërë gabimet tona, kemi besuar ndoshta më tepër me disa lojtarë, sidomos kur luajnë jashtë, por në fushë kanë treguar se nuk kanë bërë diferencën me një lojtar të kampionatit shqiptar. Do të jemi më të matur, por edhe lojtarët e kampionatit shqiptar duhet të tregojnë veten pasi do të luajmë me ekipe shumë të mira si Portugalia apo Izraeli”, shtoi më tej Gega.

Në këtë optikë edhe sezoni aktual i Superiores ka qenë pozitiv për shpresat me ekipe si Vllaznia, Apolonia, Partizani, Teuta apo Skënderbeu, që kanë në gjirin e tyre futbollistë të kontingjentit të përfaqësueses U-21. Gega bën të ditur se deri tani është punuar me fazën e formimit të ekipit dhe në axhendën e tij janë rreth 40 lojtarë për këto eliminatore.

Refuzimet – Ndërkohë një mesazh i qartë vjen edhe për ata që kanë refuzuar grumbullimin me shpresat duke pretenduar menjëherë kombëtaren e madhe. “Kemi pasur refuzime, por them se është krejt normale, megjithatë ju kemi thënë të mendohen. Një shans të dytë duhet t’ia japësh gjithkujt, por kjo varet nga dëshira. Personalisht mendoj se ata që vijnë pa dëshirë për të luajtur me Shpresat duke kërkuar menjëherë kombëtaren, më mirë të mos vijnë”, deklaroi ndër të tjerash trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here