Gega i sinqertë: Nuk e kisha parashikuar këtë Partizan, momenti më i keq në Fushë-Krujë

Partizani në krye, lojë dhe rezultate, diçka që ndoshta pakkush e priste në verë. As vetë tekniku i të kuqve, Skënder Gega, nuk e priste dhe këtë ai e thotë në në “Fair Play nga Enkeleida Zeko”, në OraNeës.

” Të jem i sinqertë nuk e kisha parashikuar se Partizani do të jetë në vend të parë. Jam trajner i ri në Superiore, përtej moshës, dhe duke e parë çdo ditë në stërvitje ekipin dhe duke parë reagimet e tyre ndaj atyre që dëshironim të futnim, mendoj se kemi marrë 100% dhe jemi të kënaqur.

“Qetësia vjen nga rezultatet, por edhe në momente të vështira nuk e kemi vendosur gishtin tek ndonjë individ i veçantë, duke u munduar të korrigjohemi me punë. Edhe nga klubi kam hapësirën e duhur për të bërë atë që di më mirë, nuk ka ndonjë sekret tjetër. Nuk kam pasur pengesa nga klubi, thjesht kam dashur liri dhe besim, ndërsa çdo ditë e më shumë është krijuar besim reciprok, duke qenë të drejtpërdrejtë me gjithë lojtarët. Kam qenë i hapur, duke u munduar të jap një mesazh që jam aty për të ndihmuar individin, por edhe Partizanin.

“Demi? Nuk besoj se ka shumë rëndësi që një president të njohë futbollin shumë mirë, sesa të besojë tek ajo që ka investuar. Deri tani gjithçka është shumë mirë dhe nuk besoj se do ndryshojë. Rezultatet mund të ndryshojnë, por jo marrëdhëniet dhe mënyra si punojmë.

Konflikti me Trashin – “Kam qenë në moshën e tij dhe kam bërë gjëra edhe më të rënda se ai. Natyrisht, tani jam në pozicion tjetër dhe më duhet të marr edhe vendime. Trashi është ndër shtyllat kryesore të Partizanit, për 90 minuta bën një punë të jashtëzakonshme, ashtu si sot. Ai ndjen përgjegjësi, rasti që ndodhi është një reagim emocional, i momentit. Morëm një vendim, kishim dilemat tona, por ai ishte i ndërgjegjshëm dhe u pamë në sy. Duhet të punojmë e të jetojmë bashkë, jemi si familje. Pezullimi i Trashit nuk ishte thjesht vendimi im, kam marrëdhënie shumë të mirë me drejtuesit, drejtori Olsi Rama është i qetë dhe jo konfliktual. Jemi të tre, së bashku me presidentin Demi, në një linjë, ndaj ishim dakord për vendimin e marrë, në të mirë të klubit”.

“Befasia? Po, jam befasuar nga një pjesë e lojtarëve, që kur mora ekipin më krijuan dilema dhe ndoshta nuk më jepnin plotësisht shpresë, por kanë bërë ndryshime drastike, çka tregon forcë karakteri”.

Gega ka folur edhe për momentin më të keq të Partizanit këtë sezon, duke befasuar: “Fushë-Kruja, ndeshja kundër Kastriotit. Nuk isha i qetë, edhe pse shkuam në avantazh 2-0, sepse ekipi luante shumë thellë, Kastrioti po hynte në lojë dhe po krijonte presion. Kundër Laçit sot isha shumë i qetë, skuadra ishte vendosur mjaft mirë dhe e pashë që lojtarët nuk po abuzonin apo tërhiqeshin. Natyrisht, nuk kemi cilësi që të krijojmë raste pa fund, por sot isha i qetë”.

TIFOZERIA – “Ka vite që Partizani ka një mbështetje shumë të madhe, ata e kanë mbështetur në masë Partizanin edhe në momentet më të këqija të skuadrës. Kemi një grupim që na ndjek në çdo qytet që shkojmë. Të them të drejtën prisnim më shumë tifozë në ndeshjen e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *