Gega i impresionuar nga lojtarët e stolit, Devolli: Të shtunën tjetër muzikë

Partizani dhe Kastrioti zhvilluan sot takimin e kthimit në kuadër të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Rezultati i ndeshjes së parë nuk la gjë për të diskutuar ditën e sotme dhe të dy trajnerët u dhanë minuta lojtarëve të stolit.

Kastrioti humbi takimin me shifrat 3 – 0, por trajneri Bledar Devolli u shpreh i kënaqur me lojën e disa prej lojtarëve, ndërsa ndeshjen e cilësoi si një stërvitore për të dyja ekipet.

“Kualifikimi u vendos që në ndeshjen e parë. Ne s’kemi objektiv Kupën. I kemi sytë nga kampionati. Sot bëmë një stërvitje të mirë. Pashë disa nga lojtarët që na kanë ardhur. Jam i kënaqur nga ajo që treguam në fushë. Tani mendoj vetëm për ndeshjen e të shtunës, pasi ajo ka rëndësi, aty do të ketë tjetër muzikë”.

“Në fundjavë pres një Partizan më ndryshe. Do të jenë me agresivë në të dyja fazat e lojës. Do jetë një ndeshje e vështirë kundër një ekipi si Partizani që është me meritë në vend të parë, por e thashë, të shtunën do të jetë një tjetër muzikë, do bëjmë gjithçka për të marrë pikë”, .

“Kemi marrë dy fitore që i kemi merituar. Kemi më shumë besim se kurrë. Do vijmë këtu që të shënojmë gol dhe të marrim pikë” përfundoi Devolli.

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, u shpreh i gëzuar me paraqitjen e kryer nga djemtë  e tij. Numri 1 i pankinës së skuadrës kryeqytetase vlerësoi lojën e bërë nga lojtarët e tij, të cilët kontrolluan ndeshjen përgjatë të gjithë takimit.

“Kualifikimin e morëm sot, para dy javësh ishte vetëm ndeshja e parë. Ndeshja e dytë ia vlejti, pasi pamë një pjesë lojtarësh që nuk kanë qenë pjesë e grupit të parë dhe s’kanë pasur minutazh. U munduam t’i aktivizojmë. Gjithçka u kontrollua mirë, jam i kënaqur nga mënyra se si luajtëm. Ndoshta Kruja nuk erdhi me grupin më të mirë, ky nuk është problemi jonë. Do takohemi përsëri në fundjavë në një ndeshje shumë të rëndësishme për ne”.

NDESHJA NË FUNDJAVË – “Besoj se do jetë ndeshje tjetër nga kjo e sotmja, dhe për ata dhe për ne. Unë respektoj çdo kundërshtar. Fitoret e tyre na bën që t’i vlerësojmë. Luajmë në fushën tonë me tifozët tanë, do bëjmë më të mirën sepse jemi Partizani” përfundoi Gega.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *