Gega: Asani ka firot e veta, Mema tifoz i… Partizanit

0

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega,  ka folur pas ndeshjes kundër Flamurtarit për mediat e pranishme në stadium dhe preku disa tema të veçanta. Pasi analizoi ndeshjen kundër kuqezinjve të Vlorës, Gega u ndal te Hebaj dhe Asani, ndërkohë që lëshoi edhe një batutë për trajnerin e Tiranës, Ardian Memën, i pranishëm në stadium. 

NDESHJA – “90 minuta janë gjithmonë të vuajtura, asnjëherë nuk fitohet ndeshja para se të fitojë. 90 minutëshi ka momente të mira, të vështira, por deri sa të bjerë bilbili final, për trajnerin ka tension. Rendësi ka që morëm tri pikët dhe shohim përpara”, u shpreh Gega fillimisht.

HEBAJ – Tekniku i të kuqve më pas komentoi edhe paraqitjen e shkodranit të sulmit: “Nga stoli u fut dhe radhën që kaloi, por jo gjithmonë ndërrimet tona janë produktive, për shumë arsye e rrethana. Jam i lumtur për tri pikët dhe për Hebajn, që u fut dhe ndryshoi situatën. Mos është momenti për një fanellë titullari në derbi? Unë ju besoj të gjithëve, Hebaj është titullar. Nëse është në 18-she, është titullar. E rëndësishme është të marrim maksimumin nga të gjithë”.

TRASHI – Një mungesë e rëndësishme ajo e Trashit në derbi: “Trashi do të jetë mungesë e madhe, ju e patë që është lider në fushë. Është lojtar me vlerë për Partizanin. Edhe pse mori të verdhë dhe e dinte që nuk do të luante në derbi, e ndihmoi shumë skuadrën, duke qëndruar i qetë në fushë dhe duke mos marrë të kuq”.

RIBAJ – “Kartoni i kuq ndikoi, 10 vetë janë ndryshe nga 11. Ndodhi për Vlorën, por Flamurtari Flamurtar është. Nuk ishte ndeshje e lehtë as pas kartonit të kuq”.

DERBI – “Tirana dhe Partizani janë gjithmonë të karikuara, pavarësisht renditjes në tabelë. Karikimi i tyre na karikon neve dhe më tepër. Mema në stadium, për kë mendoni se bëri tifo? Bëri tifo për Partizanin (qesh). Donte që të shkonim dhe ne të karikuar. Çdo trajner dëshiron që rivalin ta lërë prapa dhe të godasë kundërshtarin. Ne jemi koleg, edhe unë e kam parë Tiranën dhe kam bërë tifo për ekip tjetër. Mema po bën punën e vet, është te klubi vet, siç jam dhe unë. Deri të premten do të punojmë dhe të shohim”.

HISTORIA – I pyetur se sa ndikon fakti që Tirana nuk fiton prej 5 vitesh derbin, Gega tha: “Duhet të shkëputemi nga historia, pasi nuk ka lidhje se çfarë ka ndodhur para 15 ndeshjesh. Është situatë tjetër. Do të mundohemi ta vlerësojmë në maksimum ndeshjen dhe të marrim maksimumin. Pas fitores me Flamurtarin, jemi më të qetë dhe skuadra ka forcën e duhur për të ruajtur ecurinë”.

ASANI – “Asani, si çdo lojtar tjetër, nuk është perfekt. Në pjesë të veçanta bën shumë mirë, ka kontribut. Ka dhe ai të mirat dhe firot e veta dhe është i veçantë. Të gjithë duan përmirësim, sidomos Asani, që është ende i ri. Asani nuk e dëmton Partizanin, përveç asisteve di edhe të godasë. Donte të shënonte përballë Flamurtarit dhe u mërzit disi. Gjithsesi, unë nuk mërzitem, pasi Asani ka ego dhe do të shënojë”.

REXHEPI – Mbrojtësi qendror nuk ishte në një formë të mirë pas rikthimit. “Rexhepin dua ta aktivizoj pasi dua që të rikthehet dhe të ambientohet sa më shpejt me ekipin. Është pjesë e shëndoshë e ekipit dhe na bën optimist për të ardhmen”,- përfundoi Gega.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.