Gëce si Ronaldo, rrezikon fundin e karrierës

0

Për Mario Gëcen lajmet e këqija nuk kanë të sosur. Dje Borusia Dortmund njoftoi zyrtarisht se mesfushori 24-vjeçar ka një problem tjetër shëndetësor dhe nuk dihet se kur do të rikthehet në fushë. Sipas komunikatës zyrtare që dha klubi verdhezi, kampioni i botës ka çrregullime në metabolizëm dhe askush nuk e di se kur mund të luajë sërish. Kjo është diçka e pazakontë për një futbollist në moshën e tij, por ja që i ka ndodhur dhe kjo mund të jetë goditja fatale për të në këtë sezon. Në vitin 2017 Gëce ka luajtur vetëm 27 minuta dhe së fundmi ka vuajtur nga disa probleme muskulore. E tashmja e tij duket si e kaluara, më saktë si tre sezonet te Bajerni, aty ku kurrë nuk ia doli të jetë një lojtar i rëndësishëm.

“Jemi të lumtur që tani dimë arsyet për ankesat e Marios dhe jemi të bindur se pasi të rikuperohet ai do të shtojë cilësinë në skuadër me aftësitë e jashtëzakonshme që ka”, – u shpreh drejtori sportiv i nënkampionëve të Gjermanisë, Mikael Cork. “Mario do të marrë nga të gjithë ne mbështetjen maksimale, nuk diskutohet. Nga skuadra, stafi teknik, tifozët dhe të gjithë”, – shtoi ai.

Vetë lojtari u shpreh shumë i gatshëm për të dhënë më të mirën, derisa ta shohë veten duke luajtur bashkë me shokët e tij të skuadrës. “Jam në procesin e kurimit dhe po bëj gjithçka për t’u rikthyer në stërvitje për të ndihmuar shokët e mi.” Shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt, sepse më parë Gëce ka qenë lojtar vendimtar në formacionin e verdhezinjve, kur trajner i skuadrës ishte Jyrgen Klop.

Megjithatë, optimizmi i Gëces dhe Dortmundit nuk pasqyrohet te mjekët, pasi mediat gjermane raportojnë se mund të jetë i njëjti problem që kishte Ronaldo Fenomeni: hipertiroidizëm, problem që ngadalëson tmerrësisht metabolizmin, duke bërë që futbollisti të vërë shëndet tej mase.

Ronaldo para pak vitesh deklaroi se kjo sëmundje e detyroi të linte futbollin, sepse i duhej të merrte hormone, që në futboll ishin pjesë e listës antidoping.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here