Gazetari e pyet sesa e ndihmon mbrojtësi i ardhur nga Milani, Colina: Jo, kemi Ardian Ismajlin

Ardian Ismajli është një vlerë e shtuar për mbrojtjen e Kombëtares së Shqipërisë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Ndërhyrjet e këtij mbrojtësi janë thuajse në perfeksion dhe këtë e ka dëshmuar gjithmonë, duke mos u ulur asnjëherë në stol, si në kohën e Panuçit dhe këtë të Rejës.

Por edhe në Kroaci ruan të njëjtën formë, duke dalë thuajse çdo javë në formacionin më të mirë. Për të parë vlerësimin që kanë lojtarët e Hajdukut të Splitit për të, mjafton vetëm të shohim intervistën e talentit 19-vjeçar David Colina.

Gazetari kroat e pyet sesa e ndihmonte Stefan Simic, duke e marrë si shembull, pasi vjen nga Milani dhe luan me Kombëtaren e Çekisë. Por përgjigja e futbollistit David Colina do të ishte: “Jo në fakt, unë do të thoja se lideri i mbrojtjes sonë është Ardian Ismajli. Ai na drejton dhe flet mjaftueshëm në fushën e lojës”. /Sport Ekspres/