“Gazetar për një ditë” – ja shkrimi fitues

0

Në rubrikën e përjavshme të gazetës sonë, “Gazetar për një ditë”, fituesi i tretë është shpallur Ardit Hado. 21-vjeçari ka shkruar një analizë të shkurtër për Barcelonën e Luis Enrikes. Sipas tij, skuadra katalanase ka shumë shanse për të pasur sukses sivjet.

Barcelona tani po që e ka një plan “B”

2008 – 2012, kjo është epoka e përcaktuar në futbollin botëror nga skuadra e Barcelonës me trajner Pep Guardiolën, gjeniun spanjoll që për katër vite fitoi gjithçka (madje vendosi rekord duke fituar gjashtë tituj brenda një viti, 2011). Meritat e asaj skuadre i njeh padyshim vetë historia e futbollit, e cila është shkruar me lojtarë si Ksavi, Iniesta dhe Mesi.
Ashtu siç vetë Pep Guardiola ka reklamuar se “futboll perfekt nuk ka”, edhe Barcelona e tij, apo kjo aktuale, nuk është e tillë. Problemi numër 1 – sipas ekspertëve të futbollit – për Barcelonën ka qenë gjithnjë mungesa e planit B. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë se katalanasve u ka munguar gjithnjë një manovër taktike, kur Mesi nuk ka pasur rezultat si sulmues i fshehtë. U ka munguar një zgjidhje ndaj ekipeve kundërsulmueve, që zbatojnë rreshtimin 9-0-1 (me një sulmues pykë, i cili merr topa të gjatë dhe ndëshkon Barcelonën).
Pep Guardiola nuk i ka preferuar sulmuesit klasikë (zonalë), por te Bajerni duket se ka ndryshuar mendim, duke pranuar transferimin e Robert Levandovskit. Kjo ka ndodhur tashmë edhe te Barcelona, e cila i gëzohet një trajneri tjetër, Luis Enrikes. Ky i fundit në verë kërkoi me ngulm Luis Suarezin. Të gjithë po e kritikojnë aktualisht sulmuesin uruguaian për faktin se nuk ka shënuar shumë, por po ta shohësh me një sy tjetër këtë çështje, kupton se transferimi i tij në Katalonjë nuk ishte dështim. Prania e tij në fushë është një nga “planet B” të Barcelonës. Me të në fushë, tani Barcelona tenton kroset apo topat e gjatë. Ai nuk është edhe aq i lartë, ama të “vret” me goditjet me kokë. Suarez është “sulmues rrace”, pret në zonë dhe shënon. Kalimi i tij nga krahu i djathtë në qendër (siç ndodhi në ndeshjen me Atletiko Madridin) tregon se Luis Enrike po shkon drejt kësaj manovre taktike. Arsyeja kryesore pse pozicionimi i tij në qendër ose thjesht prania e tij duhet konsideruar plan B, është se Nejmar dhe Mesi në krahë bëhen edhe më të rrezikshëm, sepse Suarez tërheq 1, 2 apo 3 kundërshtarë rreth vetes. Ai ka emrin e një “bomberi”, shifrat te Liverpuli i ka të jashtëzakonshme dhe kjo “bind” mbrojtësit të frikësohen prej tij. Mbrojtjet e ngjeshura tani edhe mund të kalohen duke pasur një sulmues pykë si ai, i cili – në fakt – lëviz shumë dhe nuk është aspak i avashtë.
Përveç pykës, Barcelona ka edhe disa “plane B”, ose më mirë të themi disa mënyra të tjera loje dhe jo vetëm “tiki-taka”. Me ardhjen e Luis Enrikes, lojtarët janë bërë më agresivë. Tekniku asturian kërkoi blerjen e Zheremi Matiesë pikërisht prej agresivitetit dhe fizikut të tij. (Kujtojmë se vetë Enrike kështu ka luajtur dikur, me nerva.) Detaji tjetër pse Barcelona ka dimensione të tjera është fakti se edhe një lojtar si Lionel Mesi kthehet mbrapa, shumë mbrapa, për të rikuperuar topat. Kjo ndodh edhe me Nejmarin, edhe me Pedron. Pra, po bëhet tamam një lojë skuadre. Kjo Barcelonë pothuajse e ka të fituar Kupën e Mbretit. Tani i duhet një “revansh” në kampionat. Mund ta bëjë, është “Mes que un club!”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here