“Gazetar për një ditë”, ja shkrimi fitues (2)

0

Marsel Daja është fituesi i kësaj jave në konkursin e “Sport Ekspresit”, “Gazetar për një ditë”. Shkrimi i tij është argumentues dhe shpjegon arsyet pse skuadra e tij e zemrës, Bajerni, do të fitojë sivjet Championsin.

Beteja “Champions League” – për fatin e tij të keq – është e vetmja të cilën njerëzit në Bavari ia kërkojnë me çdo kusht trajnerit Pep Guardiola. Bajerni mund ta fitojë Bundesligën edhe për 10 vjet me radhë, por tifozët bavarezë duan medoemos një trofe tjetër të Champions Leagues. Humbjet me Real Madridin në gjysmëfinalet e vjetshme të Champions Leagues ua kanë “errësuar sytë” edhe drejtuesve të klubit, por gjiganti Pep ka plot arsye për të besuar se trofeu do të vijë.
Sivjet gjithçka ka ndryshuar në Mynih dhe gjithçka i dedikohet pikërisht punës së teknikut katalanas, Pep. Ai ka ndryshuar mendje për mënyrën se si Bajerni duhet të luajë futboll. Nëse vjet ishte i fiksuar për mbajtjen e topit, sivjet Pep po tenton të formojë një ekip të paparashikueshëm. Kjo duket në lojën që Bajerni aplikon sivjet. Pep po provon kundërsulmet dhe sidomos topat e gjatë, gjë që te Barcelona i praktikonte pothuajse kurrë. Këtë ia mundëson pasja e një sulmuesi si Robert Levandovski.
Arsyeja e dytë pse Bajerni do ta fitojë sivjet Championsin është se skuadra duket e motivuar si në vitin e tripletës. Në “Facebook”, Shvajnshtaiger duket jashtëzakonisht i lumtur për rikthimin e tij dhe pothuajse çdo ditë qarkullojnë foto të tij duke reflektuar besim në seancat stërvitore. Roben nuk ngopet duke u stërvitur dhe kjo dallohet gjithashtu në fotot dhe videot e rrjeteve sociale, në të cilat lojtarët e Bajernit kudo shfaqen të motivuar dhe e kanë theksuar shpesh fjalinë “Sivjet duam Championsin”.
Dhe, e fundit, arsyeja kryesore pse Champions League sivjet shkon nga Berlini në Mynih është se Guardiola ka një “hesap” për të larë me Real Madridin. Është çështje filozofie. Gjithmonë skuadrat kundërsulmuese e kanë “vrarë” filozofinë e tij, si Real Madridi vjet. Sivjet do të shohim një apo dy beteja fantastike me Real Madridin, ku Pep do të jetë më i motivuar se kurrë për të treguar se e ka gjetur “sekretin” si mposhtet një ekip kundërsulmues, gjë që nuk e ka bërë kurrë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image