Gazeta e njohur italiane i bën jehonë të madhe: Shqiptarët e Italisë kundër njëri-tjetrit!

Një arritje shumë e madhe për lojtarët shqiptarë që kanë arritur të pushtojnë edhe Serinë A. Një kampionat ky ku gjithmonë ka pasur futbollistë të Kombëtares, por në vitet e fundit numri është shtuar edhe më tepër.

Ndërkohë një ndeshje e veçantë sot në orën 19:00 do të jetë ajo mes Parmës dhe Veronës. Gazeta e njohur italiane, “Gazzetta dello Sport”, i ka kushtuar një artikull të veçantë dhe jehonë të madhe përballjes mes Marash Kumbullës dhe Kastriot Dërmakut: “Shqiptarët e Italisë”.

Marash Kumbulla ka qenë një zbulim i madh te Verona, aqsa gazetarët italianë kanë nisur ta krahasojnë edhe me De Ligt. Nga ana tjetër, Kastriot Dërmaku priti pafundësisht në stol shansin e tij te Parma. Mungesa e Bruno Alvesh dhe aktivizimi te Shqipëria, i dhanë atij vendin në formacion. Dy ndeshje të luajtura në perfeksion, sidomos ajo ndaj Interit në javën që shkoi. Tashmë të dy këta mbrojtës janë kundër njëri-tjetri, në mesin e jehonës mediatike të Italisë dhe krenarisë së Shqipërisë. /Sport Ekspres/