Gaz Demi e kupton idenë: Tirana po përfiton shifra të majme nga Partizani, e kemi fajin vetë

Gaz Demi është në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Zona Gol”, atje ku po flet për merkaton e Partizanit. Për ta nisur që me një detaj, atje ku nuk është parë më puro duke u konsumuar nga numri një i të kuqëve, por një cigare.

E për të vazhduar më tej, Demi është shprehur se Partizani nuk e dëshiron Rexhinaldon, ndërsa kur flitet për ardhjen e Sormanit, konfirmohet se trajneri i ri ishte një dashuri e vetë presidentit të klubit.

“Të them të drejtën që më ka pëlqyer kjo qetësia e kësaj kohe, pa e vrarë mendjen shumë. Nga informacionet që kam trajneri është i kënaqur me ekipin nga përgatitja në Antalia dhe të presim kampionatin.

Cigarja dhe mungesa e puros: “Po e vërtet që e kam ndryshuar. Kam pak probleme te zëri, po cigaren nuk e lë dot. Prandaj kam ndryshuar llojin e saj, e kam marrë cigare angleze”.

Ndërrimet e trajnerit: “Nuk i bëj vetëm unë, por këtë herë ishte dashuria ime Sormani. Kemi lënë një projekt në mes. Doja ta merrja në qershor por për arsye familjare nuk u arrit. Na ka kërkuar vetë dhe jemi ulur për 20 orë së bashku, të tre. Dy orë kam ndenjur unë, të tjera ka qenë Olsi Rama”.

Esat Mala: “Para të gjithave vjen Partizani. Unë funksionoj si një biznesmen dhe kjo është ndërrmarrja jonë, që ka disa rregulla dhe disiplinë. Tani po flasim me lojtarin dhe familjarët e tij. Gjendet në ekipin B për momentin dhe shpresojmë që të rregullohet”.

Rexhinaldo: “Për momentin nuk kemi asnjë interes për të, megjithëse Olsi Rama po merret me disa emra, por jo për Rexhinaldon”.

Kompleksi: “Nuk po bëjmë thjeshtë një stadium, por me kushtet e UEFA-s, pra një “mini Air-Albania”. E kam nisur këtë projekt dhe dihet si në Shqipëri që jemi që kam hasur disa probleme rrugës dhe tani shpresoj që ndonjë ndeshje ta luajmë aty gjatë këtij sezoni”.

Problemet e ekipeve që nuk luajnë në shtëpinë e tyre: “Më vjen keq për Kukësin, por edhe ne ashtu jemi. Tirana ka përfituar shumë nga Partizani, shifra të majme. Është faji jonë që jemi drejtues dhe nuk punojmë shumë në infrastrukturë, por në rritjen e ekipit. Kjo është një rritje fallco për mua dhe nuk duhet kur nuk ke shtëpinë tënde.”