Gaz Demi e bën fakt të kryer: Edhe nëse “Selman Stërmasi” është gati, do luanim në “Air Albania”

“Air Albania” i ka hapur dyert e saj zyrtarisht në takimin që Shqipëria pati kundër Francës, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Shumë diskutime u hapën nëse ky stadium do të shërbente vetëm si një monument dhe të priste vetëm Kombëtaren, apo do të shërbente edhe për ndeshjet e kampionatit shqiptar.

Gaz Demi e ka bërë fakt të kryer se ndeshja derbi me Tiranën do të zhvillohet në këtë stadium të ri. Në intervistën e dhënë për “RTSH Sport” shprehet se edhe nëse “Selman Stërmasi” do të garantohej me cilësitë optimale të fushës, do të luhej në “Air Albania”.

“Edhe sikur fusha të mos ketë problem në “Selman Stërmasi”, jo vetëm unë, por të gjithë, si Tirana, ashtu edhe FSHF do të jetë e lumtur që derbi të luhet në “Air Albania”. E pashë që është gati, patjetër që do të zhvillohet atje.

Mendoj se do të ketë dashamirësi për t’u zhvilluar në fundjavë si takim nëse do të jetë dakort edhe Tirana. Por edhe nëse bëhet në mesjavë, ndeshja është në darkë e nuk është problem. Në këto vite kemi qenë fituesit, shpresoj prapë të jemi fitues. Më bëhet qejfi që këtë vit të dy skuadrat janë rivalizuese për titull. Për mua të jetë Fair Play, kuptohet që dëshirë kam të fitojë ekipi im”, ka thënë Demi. /Sport Ekspres/