Gavazaj: Vlerësim Partizanit, por ne nuk ndalemi!

Mesfushori kosovar deklaron se e ardhmja e tij do të mësohet pas një muaji, kur të jetë mbyllur sezoni. Ai beson në fitimin e të dy trofeve

Leonard Trebicka

Si në të gjitha prononcimet e tij të mëparshme, Enis Gavazaj ka folur me superlativa për Skënderbeun. Pas seancës së djeshme stërvitore, e fundit për ndeshjen e sotme me Partizanin, Gavazaj ka pohuar se skuadra e tij, edhe pse me mungesa, nuk do të ndalet nga të kuqtë. Sot ai nuk do të ketë si shokë të sulmit Souenë dhe Xhejmsin, por nuk është shumë i shqetësuar dhe beson shumë për rezultat pozitiv. Kosovari ka folur edhe për çështjen e një transferimi të mundshëm në një kampionat të huaj:

NDESHJA – “Jo vetëm nesër (sot) ndaj Partizanit, por në çdo takim, luajmë vetëm të fituar. Kemi mungesa të rëndësishme si Xhejms, Soue dhe kapiteni Shehi, por kemi lojtarë shumë të mirë dhe që do t’i zëvendësojnë denjësisht. Jam i bindur se do t’ia dalim. Nuk e nënvlerësoj aspak Partizanin, pasi është një kundërshtar i fortë, por do të bëjmë detyrën, atë që kemi bërë në 29 javë të luajtura, ku kryesojmë me meritë kampionatin. Kemi grup shumë të mirë, lojtarë me shumë eksperiencë dhe motivohemi maksimalisht në çdo ndeshje. Jemi 100% të motivuar dhe ndaj një kundërshtari si Partizani motivimi është më i madh. Në Tiranë do të japim maksimumin për fitore”, – tha Gavazaj për ndeshjen e sotme në kryeqytet.  

FORMA-GOLAT – “Për ne lojtarët e Skënderbeut, përtej anës personale, është fitorja e ekipit në çdo 90-minutësh. Golat dhe asistet janë për ekipin e pastaj për mua. Te Skënderbeu këtë nuk e mendoj vetëm unë, por të gjithë. Jemi të gjithë një dhe mendojmë për fitoret. Ana personale është e dyta.”

TROFETË – “Që në fillim të kampionatit kemi pasur si objektiv fitimin e titullit kampion dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Për titullin jemi shumë afër, pasi edhe disa pikë na duhen të jemi  matematikisht kampionë. Por edhe për kupën jemi po kaq afër, pasi jemi në finale. Do të mundohemi t’i marrim të dy trofetë. Do të luftojmë shumë t’i arrijmë objektivat.”

OFERTAT – “Realisht, jam shumë i kënaqur me sezonin që kam zhvilluar, por më shumë jam i kënaqur me ekipin. Kemi luajtur ndeshje vërtet të mira në Europë, jemi pranë titullit dhe kupës. Mendoj se për të ardhmen do të flasim në fund të sezonit, kur do të shikojmë konkretisht, nëse do të vazhdoj karrierën te Skënderbeu, apo do të kemi ndonjë gjë të re. Kam pasur oferta, por kemi edhe gati një muaj tjetër që të mbyllim këtë sezon. Jam  i fokusuar te kampionati dhe kupa”, – e ka mbyllur prononcimin e tij nga Durrësi mesfushori kosovar, Enis Gavazaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *