Gavazaj: Nëse nuk e fitojmë titullin, e lë futbollin

Kosovari është i bindur për fitimin e trofeut nga Skënderbeu, kur janë edhe 8 ndeshje për t’u luajtur. Lojtari është i lumtur që rikthehet te goli pas 115 ditësh

Leonard Trebicka

“Nëse do ta humbim trofeun e titullit, jam gati ta lë futbollin. Këtë e them, sepse jam i bindur se çështja e titullit është e mbyllur dhe ka kohë që e ka marrë rrugën drejt Korçës, është shumë pranë qytetit tonë”, – thekson mes të tjerash Enis Gavazaj, i cili vë bast gjithçka për titullin kampion. Ai shprehet se tashmë të gjithë e kanë pranuar se Skënderbeu është skuadra më e mirë dhe se e meriton titullin. Gavazaj, i cili pas plot 115 ditësh u rikthye te goli, ka bindjen se Skënderbeu do të japë më të mirën deri në fund. Pas kthimit në Korçë, Enis Gavazaj ka dhënë këtë intervistë për “Sport Ekspres”:

– Enis, pa shumë kohësh keni shënuar atë gol të bukur ndaj Flamurtarit. Si ndiheni tani që jeni zhbllokuar?

– Sigurisht që jam shumë i lumtur. Por më shumë se i gëzuar pas ndeshjes në Vlorë jam për atë trepikësh që morëm dhe që treguam se kush është Skënderbeu. Fitorja është më e rëndësishme se goli që shënoi Enis Gavazaj.

– Çfarë kishte ndodhur që Gavazaj nuk po arrinte ta gjente rrugën e rrjetës?

– Nuk e di, as vetë nuk e di çfarë ndodhi realisht këto muaj pa shënuar. Ndoshta ka qenë psikologjike, por javë pas jave do të përpiqem të ndihmoj ekipin me golat e mi. Janë edhe 8 javë deri në fund dhe do të vazhdoj të shënoj, jam shumë i bindur.

– Vrapuat drejt trajnerit Ilir Daja për ta ndarë gëzimin e golit. Kishit ndonjë dedikim për të?

– Në fakt, vrapova drejt trajnerit Ilir Daja, por po ta shikoni me vëmendje, u bëra me shenjë të gjithë shokëve të vraponim atje. Me këtë gjest tregova se jemi të gjithë të bashkuar

– Skënderbeu fitoi bindshëm në një ndeshje të parashikuar shumë të vështirë, por që në fakt rezultoi e lehtë në fushë…

– Thjesht besuam tek aftësitë dhe cilësitë tona. Kemi një grup shumë të mirë dhe ky është realisht Skënderbeu që keni parë gjatë gjithë sezonit. U kthyen në formacion Vangjeli dhe Radas, të cilët i dhanë më shumë impuls lojës tonë. Kur jemi të kompletuar, nuk ka skuadër që të na ndalë, ndaj dhe në Vlorë bëmë gjithçka mirë, duke fituar bindshëm.

– Ishin vlonjatët ata që ju mundën për Kupën e Shqipërisë 1-0 në Korçë. Çfarë ndryshoi në Vlorë?

– Mendoj se vetëbesimi ishte “ilaçi”, nuk ka asgjë tjetër që kemi bërë ndryshe në ndeshjen e fundit.

– E mund të përmbysë Skënderbeu humbjen e Korçës në ndeshjen e kthimit në Kupë?

– Me atë synim do të shkojmë pas 10 ditësh në Vlorë, për ta fituar ndeshjen. Kemi synimin që këtë sezon t’i fitojmë të dy trofetë dhe do të bëjmë gjithçka në Vlorë që të fitojmë bindshëm dhe të kualifikohemi. Gjithsesi, kemi kohë deri në atë moment, sepse përpara kemi ndeshjen e kampionatit.

– Skënderbeu ka 12 pikë avantazh nga Kukësi i vendit të dytë. Ka shanse që në 8 javët e mbetura ta rrezikoni trofeun?

– Nëse na kanë parë në Vlorë, nuk mendoj se dikush mund të mendojë që Kukësi ka shanse të na kapë. Titulli është i mbyllur.  

– Pse jeni kaq i bindur?

– Kam qenë shumë i bindur dhe e përsëris se titulli është i Skënderbeut. Nëse do ta humbasim titullin, jam gati ta lë futbollin. Këtë e them, pasi jam i bindur që trofeu është mbyllur dhe ka kohë që e ka marrë rrugën drejt Korçës, është shumë pranë qytetit tonë.

– Tre gola deri tani në kampionat për Enis Gavazaj. Jeni i kënaqur?

– Më shumë rëndësi ka ecuria që ne kemi pasur këtë sezon, që nga Europa League dhe deri te kampionati. Në anën personale do të vazhdoj të shënoj dhe asgjë nuk ka përfunduar që të bëj bilance në këtë moment.

– Si i parashikoni 8 javët e mbetura të kampionatit?

– Do të luftojmë që të kemi vazhdimësi, të fitojmë trofeun dhe të jemi gati për Champions League.

– Vendimi i UEFA-s, që e përjashtoi 10 vite Skënderbeun nga Europa, ka rënë si “bombë” në Korçë. Po ju, si e keni përjetuar?

– Nuk kam koment për këtë çështje dhe nuk i përgjigjem dot pyetjes që po më bëni.

– Sa shpresë ka Gavazaj që Skënderbeu do t’ia hedhë në CAS?

– Jemi të fokusuar te ndeshja e radhës. Për të tilla gjëra pyesni personat e duhur. Mua më pyesni për fushën.

– Çfarë do të ndodhë këtë verë me Gavazajn. Mendoni se do të luani në Champions me Skënderbeun, apo për ndonjë skuadër tjetër në Europë?

– Thjesht të luajmë së pari në Champions League, pastaj flasim edhe për momentet e tjera.

– Gavazaj kuqezi. Si e keni pritur atë grumbullim pak ditë më parë parë?

– Po, kam bërë një paraqitje të mirë përpara trajnerit dhe shpresoj të vazhdoj kështu në të ardhmen, pse jo ta bind sa më parë që të jem edhe në fushën e lojës.

– Së fundi, ndeshja e radhës ndaj Kamzës. Kur e fiton matematikisht trofeun Skënderbeu?

– Do të mundohemi që javë pas jave të marrim vetëm fitore. Nuk mund ta them matematikisht se kur do ta fitojmë trofeun, por do të vijë shumë shpejt. Duroni edhe pak, sepse titulli është i sigurt dhe festën patjetër që do ta nisim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *