Gavazaj, gjyqi në CAS dhe titulli: Ardjan Takaj “kërcënon” hapur

“Do më vinte mirë që gara të mos ketë probleme dhe të fitojë kush e meriton. Nuk i druhem diçkaje, janë shumë rivalë dhe gara do nxehet në fazën e katërt. Shpresoj të fitojë më i forti, të mësohemi edhe ne pa tensione. Të fitojë më i miri. Aq shumë sa dua Skënderbeun, nuk besoj se ngelet ndonjë përqindje për ekipet e tjera. Shpresoj në garë të ndershme dhe siç thashë më parë, të fitojë më i miri”, kështu e mbylli intervistën e tij për RTSH Sport Ardjan Takaj, i cili më parë kish folur për shumë çështje të tjetra.

SITUATA TE SKËNDERBEU – “Nuk po ndodh ndonjë gjë, është normale në futboll. Ka ulje dhe ngritje. Dihej që do kishim probleme, pasi ikën 10 lojtarë që u zëvendësuan me të rinj. Ata janë të mirë, por duan kohën e vet të ambientohen. E nisëm mirë, por në katër ndeshjet e  fundit nuk morëm rezultatet e duhura. Janë shumë katër ndeshje pa fitore. Duhet të shohim përpara, çdo gjë e kemi në dorë deri në fund të kampionatit”.

TITULLI – “Nuk heqim dorë, nuk është Skënderbeu nga ata që tërhiqen. Do jetë gabim i madh kush e mendon diçka të tillë. Shtatë pikë nuk janë shumë, janë gjashtë ekipe që luftojnë për kreun. Edhe ekipet e tjera luftojnë për mbijetesën, ndaj do jetë garë e fortë. Për katër javë mund të ndryshojë gjithçka. Do jetë një kampionat i vështirë”.

LOJTARËT – “Nuk kam zhgënjime, e nisëm mirë dhe krijuan besim te trajneri dhe te ne. Faza e parë ishte shumë e mirë. Një pjesë e tyre nuk e mbajtën ritmin. Nuk i di arsyet, ndoshta mosha e re, eksperienca. Pak nga të gjitha do kenë ndikuar. Edhe disa mungesa kanë ndikuar, nuk kemi pasur atë stolin solid të viteve të fundit”.

PRITSHMËRITË – “E rëndësishme të jemi seriozë dhe ta nisim si në fazën e parë. Nëse japim maksimumin, ne jemi të rrezikshëm për këdo. Skënderbeu nëse ul ritmin, atëherë është problem. Them për këtë ekip, pasi vjet fitonin edhe duke e ulur ritmin. Ky ekip nuk e ka atë eksperiencë dhe ato cilësi. Nëse japin maksimumin, janë ekipi më i mirë”.

MERKATO – “Janë 2-3 lojtarë me të cilët po punojmë. Mos prisni shumë. Merkato e janarit është një zhurmë e madhe. Kemi shpenzuar shumë dhe kanë qenë pa rezultat. Siç është kampionati ynë, janë edhe të tjerët. Asnjë nuk i lëshon lojtarët e mirë. Duhet të blesh lojtarë vetëm, lojtarë të lirë nuk gjen. Ne do shpenzojmë brenda limiteve. Është gabim të shpenzosh shumë, e kemi vuajtur dhe kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës”.

GAVAZAJ DHE ALITI – “Gavazaj është lojtar i Skënderbeut. Nuk e di si do shkojnë punët atje. Nuk kemi gjë në dorë, nuk e di se si do të shkojë puna. Ne e kemi huazuar për një vit. Normalisht e ka derën e hapur. Aliti është në merkato, jemi në bisedime me disa ekipe. Gjithçka varet nga blerësi, jo nga shitësi”.

GJYQI NË CAS – “Dënimi është fantazim, nuk ekziston në botën e futbollit të dënohesh pa asnjë provë. Edhe UEFA e di situatën dhe se kush na ka dënuar. Koha do t’i nxjerrë të gjitha. Nuk shkojmë për ulje dënimi, por për të fituar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *