Gatuzo: Po e marrim veten, Piatek ka nevojë për pasime

Pas fitores 1-0 ndaj Lacios, trajneri i Milanit Xhenaro Gatuzo foli për DAZN: “Për të luajtur kundër Lacios duhet të bësh patjetër ashtu. Shpejtësi, teknikë dhe fizik. Edhe javën e shkuar treguam se po e merrnim veten, sot fituam betejën në mesfushë dhe u treguam të zotë. Sot skuadra e bëri mirë detyrën”.

ROMANJOLI I DËMTUAR – “Nuk është asgjë muskulore. Ndjeu një pickim kur i ndërhyri Korreas, nuk e përkulte dot muskulin dhe kërkoi ndërrim për të mos rrezikuar”.

PJESA E DYTË – “Djemtë duhet të luftojnë për fanellën, jo për mua. Trajnerët shkojnë e vijnë, klubi mbetet. Duhet të bënim një ndeshje të guximshme dhe duhet të përgëzoj ekipin, që pavarësisht moshës së re po jep gjithçka. Momentet negative ndodhin dhe kalojnë, rëndësi ka që të rikthehesh te fitoret”.

TARE AKUZOI ARBITRIN – “Më duket e tepruar ajo që ka thënë Tare. Ose kam parë ndeshje tjetër unë, nuk e di, por arbitrimi m’u duk në lartësinë e duhur. E përsëris, Tare më duket se e ka tepruar”.

SHERRI PAS NDESHJES – “Pësova një tërheqje muskulore për të qetësuar të gjithë (qesh). Isha në stol, pashë që nisën të grindeshin të gjithë, por rëndësi ka që u mbyll aty. Kur isha lojtar këto gjëra më ndiznin gjakun, por tani nuk kam moshë për sherr, i shoh ndryshe gjërat. Po lëshova ndonjë shpullë, pastaj do ta ha nga çdo krah, sepse të gjithë janë dy metra dhe si kuaj”.

PRESIONI LART – “Po provojmë dhe po punojmë shumë. Çalhanoglu bëri presing gjithmonë te Leiva. Shpesh kemi gabuar me presingun, duke u ngutur. Ende duhet të përmirësohemi. Sikurse ne studiojmë kundërshtarët, edhe ata bëjnë të njëjtën gjë me. Kështu që është normale të provosh gjëra të reja, të ndryshme.

PIATEK – “Nuk duhet të harrojmë që Kristof nuk ka pushuar asnjëherë këtë sezon. Ndonjëherë nuk është brilant dhe është normale, ndaj duhet të jemi të zotë për t’ia bërë gjërat më të lehta. Ai ka nevojë për sa më shumë pasime dhe sot nuk i shkuan shumë topa. Sot ia bëmë më të lehtë Açerbit, ai është rehat me topat e gjatë, ndaj duhet të kërkojmë më të mirën si ekip”.

BAKAJOKO DHE TALLJA ME AÇERBIN – “Kërkojmë falje për atë gjest. Ka ardhur koha që klubet e mëdha të kufizojnë përdorimin e rrjeteve sociale nga lojtarët e vet. Ata duhet të përqendrohen më shumë te stërvitja, sesa te tastiera e telefonit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *