Gatuzo: Me Bakajokon gabova edhe unë, Piatek nuk e ruante dot ritmin e çmendur

0

Trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo, foli për platformën DAZN pas ndeshjes Fiorentina-Milan, ku kuqezinjtë morën 3 pikë që mund të rezultojnë vendimtare në garën për vendin e katërt.

Për ndeshjen: “Fiorentina të krijon gjithnjë probleme, sepse ka sulmues të shpejtë. Në pjesën e parë na ndihmoi edhe ambienti, në të dytën nuk e qarkulluam topin dhe rrezikuam të pësonim gol në disa raste. Tani mendjen te Frozinone, nuk ka mbaruar”.

Champions: “Deri para 25 ditësh ishim në Champions, na vjen shumë keq. Duhet të besojmë. Nëse shohim kampionatin që kemi bërë, është normale që mendonim se ia kishim dalë mbanë. Megjithatë, nuk duhet të dorëzohemi”.

Skuadra dhe Abate: “Kam kaq kohë që them që po luan mirë, Abate kishte kohë që mungonte, por sa herë e kam futur ka qenë gati. Kjo është një skuadër që nuk ma ka tradhtuar kurrë. Po të kisha pasur qoftë edhe parandjenjën se po më tradhtonte, do isha larguar. Ka pasur momente ku e kemi humbur busullën, por ky sezon nuk është për t’u hedhur në plehra”.

Për Piatek: “Ne duhet të mendojmë për skuadrën. Duhet të mendojmë të sulmojmë pak më shumë në thellësi. Piatek po lëviz mirë, e ka kuptuar që duhet të ndihmojë skuadrën. Është normale që të mos vazhdonte të shënonte me ato ritme të çmendura që kishte deri para pak kohësh”.

Për Bakajoko: “Unë nuk flas asnjëherë sa për të kaluar radhën. Kam shumë defekte dhe pak virtyte, por kur them që nuk mbaj mëri, e kam seriozisht. Prioriteti është Milani, e di që nuk mund të mbaj mëri në këtë moment. Zemërohem kur shoh mungesë respekti mes shokëve. Jam i kënaqur për paraqitjen e tij, gabuam të dy, por e zgjidhëm një ditë më pas”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.