Gatuzo: Ky një Milan anglez, kundër Atalantës kemi nevojë për… helmeta!

Milani do të zhvillojë nesër në mbrëmje një nga ndeshjet më të forta dhe të rëndësishme të sezonit. Djemtë e Gatuzos do të udhëtojnë drejt Bergamos për t’u ndeshur me Atalantën, një ekip që ndodhet në formë fantastike dhe po luan një futboll shumë të bukur. Diferenca mes dy ekipeve është vetëm 1 pikë dhe në garën për vendin e tretë dhe të katërt janë shumë ekipe.

Xhenaro Gatuzo e di mirë vështirësinë e kësaj ndeshje dhe i bën thirrje ekipit të tij që të jetë i përqendruar dhe të zhvillojë një ndeshje të madhe. Trajneri i Milanit nuk i kursen elozhet për Atalantën, analizon situatën e ekipit të tij dhe prek disa tema gjatë konferencës për shtyp.

NDESHJA -“Nesër duhet të vëmë helmetat. Atalanta luan një futboll fizik, por dhe shumë teknik. Duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe. Jemi përgatitur me vendosmëri dhe përqendrim të madh gjatë këtyre ditëve. Duhet të shfaqim karakterin tonë. Duhet të jemi të gatshëm për ta, të luajmë mirë teknikisht dhe të mbajmë pozicionet tona. Ata janë të mirë dhe i sheh në zonë me 4-5 lojtarë, ndaj duhet të mbrojmë dhe të sulmojmë mirë. Duhet t’i luajmë këto lloj ndeshjesh, me qëllim që lojtarët të fitojnë eksperiencën e nevojshme për t’ia dalë mbanë”.

KUNDËRSHTARI – “Atalanta është unike në mënyrën e lojës, ndaj edhe duhet të jemi të kujdesshëm. Vetëm ata luajnë futboll me këtë lloj presingu. Duhet të zhvillojmë ndeshjen tonë dhe është një sfidë e rëndësishme. Gjithsesi ka edhe shumë ndeshje. Ata kanë shumë kualitete, që mund të na vendosin në vështirësi, por të njëjtën gjë duhet të bëjmë dhe ne.”

FRIKA – “Ata kanë shënuar disa gola me kokë, ndërsa ne vetëm një. Ata luajnë njësoj prej 3 vitesh. Njerëzit thonë që vrapojnë pafund, por ata kanë dhe shumë cilësi teknike.

GASPERINI – “Ai stërvit prej shumë vitesh dhe të bësh atë që po bën ai është shumë e vështirë. Pak skuadra arrijnë të luajnë këtë lloj futbolli që po bën Atalanta me Gasperinin.”

ROMANJOLI – “Ai është një kapiten i ri dhe po rritet shumë dhe në këtë rol. Ai respektohet kur flet, di si të fitojë dhe duhet të vazhdojë në këtë rrugë. Shumicën e kohës duhet të jesh koherent kur mban shiritin dhe të marrësh përgjegjësi, dhe Alesio e ka këtë cilësi.”

KALABRIA-RODRIGEZ – “Kanë shumë dëshirë që të punojnë dhe të përmirësohen. Nuk më pëlqen fjala ‘i paprekshëm’, pasi është fusha që flet. Momentet negative mund t’i ndodhin çdokujt, prandaj dua që të gjithë të jenë gjithmonë gati.”

PIATEK – “E prisja një lojtar të tillë. Ai nuk është një tip që flet shumë me fjalë, por flet me gola. Kristof më jep përshtypjen se lodhet në nxehjen përpara ndeshjes dhe dëshiron vetëm që të nisë ndeshja sa më shpejt. Ai ngjan shumë me Zapatën e Atalantës. Nesër duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj Zapatës.”

MENTALITETI – “Ne duam të nisemi gjithmonë fort dhe po përpiqemi të bëjmë gjëra të reja. Fizikisht jemi mirë dhe duhet ta kemi të qartë mënyrën se si do ta vendosim Atalantën në vështirësi. Nesër duhet të shpenzojmë shumë energji, sepse ata nuk ndalen kurrë. Një fitore nesër do të ishte shumë e rëndësishme, por rruga është akoma e gjatë. Fitorja do të ishte e rëndësishme në aspektin psikologjik, por mungojnë dhe 15 ndeshje deri në fund të sezonit. Po sillemi si një ekip anglez, prandaj ju jap ndonjë ditë më tepër pushim ekipit.”

PAKETA – “Kur luajmë me skemën 4-3-3 janë shumë të rëndësishme inkursionet e mesfushorëve anësorë. Çalhanoglu dhe Paketa i shkëmbejnë mirë pozicionet e tyre, por duhet të bëjmë akoma më shumë në këtë aspekt. Sigurisht që mund të bëjmë më mirë me cilësitë e Paketës dhe Kesi.”

SUSO – “Unë bëj rolin e trajnerit dhe jo atë të drejtorit sportiv apo menaxherit. Lojtari e meriton rinovimin, por kjo është një çështje e klubit. Ka shumë respekt për Suson dhe ai po jep shumë për Milanin. Qëndroi 25 ditë pushim, por u rikthye menjëherë në dispozicion dhe është kthyer të ketë një këmbë të rëndësishme.”

BAKAJOKO-BILJA – “Bakajoko mund të luajë në mesfushën me tre, ndërsa Bilja duhet të qëndrojë në mes. Mund të luajmë dhe me dy qendërmesfushorë, por mes të dyve do të jetë francezi, ai që do të ndryshojë pozicion.”

TOPAT E LARTË – “Ne stërvitemi shumë në goditje e dënimit. Atalanta nuk shënon me kokë vetëm nga goditjet e dënimit. Nuk jam i kënaqur me ekipin në këtë aspekt, sepse kemi centimetra dhe lojtarë që dinë të godasin mirë me kokë. Ndoshta po stërvitemi më shumë seç duhet, por brenda zonës duhet të tregohemi të këqij.”

MILANI – “Gjëja që të mahnit më shumë është kur futesh në Milanelo dhe në San Siro, por hijeshia dhe organizimi i këtij klubi nuk kanë asnjë të metë. Lojtarët që vijnë te Milani e vënë re dhe kanë për detyrë që ta dërgojnë sa më lart këtë klub. Fati i një trajneri është kur ka në ekip 8-9 lojtarë koherencë të madhe. Një grup lind kur thuhen gjërat në fytyrë dhe ekziston respekti. Shumë prej djemve të ekipit po marrin përgjegjësitë e tyre dhe kjo është gjë shumë e mirë për të ringritur Milanin.”

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *