Gatuzo: I urrej komplimentet, ne italianët kemi një problem! Na mbytën tifozët e tastierave!

Milani do të presë nesër në mbrëmje Empolin në “San Siro”, në një ndeshje ku kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren e radhës për të vazhduar drejt objektivit Champions Ligë. Triumfi përballë Atalantës në transfertë ka rritur entuziazmin në kampin milanist, por Xhenaro Gatuzo kërkon kujdes dhe përqendrim.

Askush nuk duhet ta marrë lehtë kundërshtarin e radhës, për të cilin Gatuzo ka shumë respekt. Në konferencën për shtyp, trajneri i Milanit ndalet dhe te situata e ekipit të tij. Komplimentet nuk bëjnë për të, ashtu siç nuk vlen më të diskutohet për Gonzalo Higuain.

Në fund një koment për diferencën mes ekipeve italiane dhe atyre europiane, problemin e madh që ekziston në Itali, Atletikon e Madridit dhe gjestin e Diego Simeones, i cili ngjan shumë me Gatuzon në aspektin karakterial dhe emocional.

KUNDËRSHTARI – “Ndeshja me Empolin nuk do të jetë e lehtë. Ata kanë ndryshuar skemën taktike dhe nuk duhet t’i nënvlerësojmë. Ata kanë vlera të mira teknike, kanë një mbrojtje interesante, janë të rrezikshëm në goditjet standarde, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të vazhdojmë të besojmë në gjithçka që bëjmë. Nuk duhet të mendojmë se gjithçka është e lehtë, sepse tani jemi në një formë të mirë.”

ÇALHANOGLU DHE PAKETA – “Dje shkova për të përshëndetur Hakanin me filxhanin e kafes në duar. Unë përpiqem të krijoj raporte me të gjithë futbollistët, jo vetëm me Çalhanoglunë. Gjithashtu përpiqem të përqafoj ato që kanë pasur pak mundësi të luajnë kohët e fundit. Ka shumë lojtarë, të cilët po stërviten me një dëshirë të madhe, pavarësisht faktit që nuk po luajnë. Paketa mund të luajë në të gjitha pozicionet. Do ta shohim nesër se si do të shkojë. Nëse nuk gaboj, kemi tre ndeshje në një periudhë të shkurtër kohe dhe duhet ta vlerësojmë situatën me kujdes. Dua t’u jap mundësinë disa lojtarëve që kanë luajtur pak kohët e fundit, por pa ndryshuar shumë. Gjëja më e rëndësishme është që të ruajmë entuziazmin në ekip. Një trajner duhet t’i marrë parasysh të gjitha aspektet.”

EKIPI – “Ne jemi një skuadër e re dhe ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me vendosmërinë që duhet të kemi në fushën e blertë. Hap tjetër i rëndësishëm për ne është ruajtja e vazhdimësisë. E bëj këtë punë, sepse më pëlqen. I di karakteristikat e mia dhe si të jap kontributin tim për ekipin. Ka shumë njerëz që janë jashtë nga këtu dhe lehtësisht kritikojnë një që punon. Zgjidhja është t’i injorojmë ata dhe të fokusohemi te detyrat që na janë ngarkuar.”

KOMPLIMENTET – “E përjetoj keq këtë situatë, pasi nuk preferoj asnjë kompliment. Më duhet të falënderoj skuadrën dhe stafin tim. Skuadra po bën mirë dhe po arrin gjëra të rëndësishme. E bëj këtë profesion sepse më pëlqen dhe besoj se di ta bëj. Nuk dua t’i dëgjoj fjalët bravo, bravo. Ndonjëherë arrijnë të masakrojnë dhe trajnerë, të cilët kanë fituar pafund si Ançeloti, Murinjo, Alegri… Futbolli kështu është. Ka shumë tifozë tastierash, por ne duhet të mendojmë për punën tonë, të rritemi ditë pas dite dhe të mos i kushtojmë vëmendje atyre që shkruhen dhe fliten.”

HIGUAIN – “Nuk dua të flas më për Higuain, le të flasim për ata që janë këtu. Për momentin kemi një sulmues, i cili po kthen në gola çdo top që i shkon në këmbë, por merita është e të gjithëve. Duhet t’u japim të gjithëve meritat që u takojnë, skuadra është e re dhe mund të rritemi akoma. E rëndësishme është që ka shumë dëshirë, duhet të kalojmë çdo pengesë dhe le t’i japim vazhdimësi rezultateve tona.”

TAKTIKA – “Diskutoj tre herë në javë me një trajner, Moraçen, i cili është shumë i përgatitur. Mendoj se në botën ku jetojmë ka shumë gra që marrin vesh nga futbolli. Bisedat për futboll me Karolinën (gruaja e Gatuzos) janë gjithmonë të hapura dhe interesante.”

DREJTUESIT – “Leo, Paolo dhe Gazidis janë një vlerë e shtuar dha janë treguar të aftë për të më rritur si trajner. Mes nesh ka diskutime dhe respekt. Ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer dhe ka dakordësi mes nesh. Shpeshherë ka debate, por një gjë e tillë ekziston dhe në familje, është e pamundur të mos ndodhë në punë. Derbi? Nuk duhet ta mbajmë mendjen aty. Duhet të jemi të aftë të gjejmë përqendrimin e duhur dhe kundër Empolit dua të shoh Milanin e minutave të para kundër Kaljarit.”

CIKLI I RI – “Nuk arrij të mendoj aq shpejt, jam një person me këmbë në tokë. E ardhmja jonë ka të bëjë me rezultatet dhe punën e përditshme. Kemi disa lojtarë që u përfundon kontrata, por unë mendoj ditë pas dite dhe më duhet të përqendrohem për të dhënë maksimumin.”

DIFERENCA ME KLUBET EUROPIANE – “Nuk duhet të bëjmë vetëm lojtarët që të vrapojnë, por dhe topin. Kemi trajnerë të mëdhenj, por mendojmë se jemi një komb që nuk gabon kurrë. Përveç stërvitjes është shumë e rëndësishme dhe aspekti i çlodhjes së lojtarëve. Si futbollist nuk ndaloja kurrë së vrapuari, por në fund të sezonit mbërrija i sfilitur. Nuk duhet t’i masakrojmë lojtarët, pasi kanë shumë nevojë për pushim.”

ATLETIKO MADRID – “Ata janë një skuadër e vërtetë. Nuk është rastësi fakti që nuk pësojnë gol pothuajse kurrë. Atletiko është një skuadër shumë e komplikuar për ta patur përballë, krijojnë dhe të bëjnë të luash keq. Kjo është meritë e Simeones. Gjesti i Diegos? Si futbollist kam bërë dhe unë pafund gjeste të tilla. Nuk është diçka e bukur, por mund të ndodhë kur dikujt i vlon gjaku.”

E ARDHMJA  – “Futbolli ka ndryshuar dhe nuk mund të programosh asgjë. Duhet të kuptojmë se kush dëshiron të qëndrojë dhe kush, jo. Para 12 vitesh ishte e vështirë që një lojtar të largohej nga Milani. Me Leon dhe Maldinin jemi në duar të sigurta, ata dinë se si të lëvizin në merkato dhe kanë marrë dy lojtarë shumë të rëndësoishëm si Paketa dhe Piatek. Kështu që jemi në dua të sigurta.”

RIKTHIMET – “Zapata do të jetë gati pas një jave. Konti në sulm? Ai i ka karakteristikat për ta bërë një gjë të tillë, por dhe për të mbrojtur rezultatin. Kemi disa sulmues krahu, kështu që le ta lëmë në rolin e tij. Konti është i rëndësishëm për ne.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *