Gatuzo: “Asnjë objektiv, por do ketë përforcime”. Mirabeli: “Suso nuk shkon tek Interi”

Milani ka nisur sot punën për sezonin e ri dhe trajneri Xhenaro Gatuzo është takuar me skuadrën në Milanelo. Natyrisht, mungonin shumë lojtarë, për shkak të pjesëmarrjes në Kupën e Botës.

Trajneri kuqezi doli në konferencë për shtyp së bashku me drejtorin sportiv Mirabeli, duke folur gjerësisht për momentin kuqezi, objektivat dhe merkaton.

NIS SEZONI – “Duhet të shohim nga e ardhmja, kemi bërë pak ndryshime, por jam i sigurt se dikush do të vijë. Duhet të rinisemi me entuziazëm, nuk kemi pse gjejmë justifikime. Jemi këtu për të djersitur dhe punuar. Problematikat dihen, duhet të punojmë dhe ta përgatitim sezonin sa më mirë.

PROBLEMET E KLUBIT – “Jam i bindur se do të bëhet më mirë, por kam përjetuar eksperienca edhe më të këqija. Asnjë lojtar nuk ka kërkuar të largohet, po përgatitemi për një sezon me një bazë të mirë dhe grup të fortë.

PRESIONI – “I vetëm nuk bëj dot asgjë, ndaj e ndiej presionin. Klubi ka pasur probleme të shumta, por nuk na ka munguar asgjë në aspektin ekonomik. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta nderuar dhe ndihmuar këtë klub historik. Nuk kam frikë, jam i pari që marr përgjegjësi, sepse jam tifoz i Milanit.

OBJEKTIVAT – “Baza e skuadrës është e rëndësishme dhe drejtuesit e dinë çfarë lojtarësh më pëlqejnë. Shpresoj të vijë ndokush, sepse kemi nevojë, por mund edhe të mos blejmë askënd. Vetëm se ekipet e tjera janë përforcuar. Drejtuesit kanë halle të tjera tani, nuk na kanë vënë ndonjë objektiv sezonal.

MERKATO – “Do doja një alternativë për sulmuesin anësor, si dhe një alternativë për Kesie. Kemi 4 sulmues dhe të shohim çfarë do bëjmë, nëse nuk ikën askush, do të punojmë vetëm për dy rolet që thashë më sipër.

 

MIRABELI: SUSO, ZERO SHANSE PËR TEK INTERI

Drejtori sportiv i Milanit, Masimiliano Mirabeli, ka folur gjithashtu për fillimsezonin dhe për synimet e këtij Milani.

“Nuk duhet të shohim çfarë ndodh mbi ne, duhet të mendojmë vetëm për fushën. Lojtarët janë një vit më të rritur, Gatuzo ka më shumë eskperiencë, kanë ardhur edhe disa lojtarë deri tani, ndaj shpresojmë të bëjmë më mirë se sezonin e shkuar. Unë jam optimist, me Gatuzon në drejtim dolëm të tretët në renditje. Rivalet janë forcuar, por ne shohim punën tonë, merkatoja shpesh rezulton ndryshe nga ajo që tregon fusha”.

Suso? “Prokuratorët mund të flasin, por e përjashtoj në mënyrë kategorike që Suso të shkojë tek Interi. Ka një klauzolë për shitje jashtë Italisë, por gjithnjë ka thënë se dëshiron të qëndrojë te Milani. E sigurt është që tek Interi nuk shkon”.

Sakrificë në merkato, ndoshta Donaruma? “Nuk do të nxjerrim në shitje asnjë nga lojtarët tanë kryesorë. Shumë lojtarë ndiqen nga klube të tjera, por nëse ndokush largohet, do bëhet vetëm me aprovimin e trajnerit. Vendos Gatuzo nëse ia vlen të shesim ndonjë lojtar, nëse vjen ndonjë ofertë e rëndësishme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *