Gatuzo: Arsenali ka lojtarë mëdhenj, unë ende fillestar

Trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo, ka prezantuar sfidën në Europa League kundër Arsenalit, skuadër që është në krizë, por me një ekspert si Venger në stol

Kthehet futbolli evropian për Milanin, ai i madhi, sepse nesër përballë është Arsenali, një klub legjendar, me të cilin vetëm pak vite më parë kuqezinjtë përballeshin në Champions League dhe ishin sfida të paharrueshme. Xhenaro Gatuzo ka qenë protagonist në fushë në ato ndeshje, ndërsa tani do të jetë në stol, si trajner, duke sfiduar të zakonshmin Arsen Venger, i cili është vetë Arsenali, prej disa dekadash.

ASTORI – Fillimisht Gatuzo ka kujtuar Davide Astorin, i ndarë nga jeta në mënyrë tragjike fundjavën e shkuar: “Humbëm një njeri të madh, me përulesi të pabesueshme. Ishte 16-17 vjeç kur e njoha dhe e kujtuam atë histori kur e takova për herë të fundit. Më kërkonte gjithnjë leje që të përdorte palestrën, derisa një herë i thashë që nuk duhej t’i jepja asnjë autorizim. Kjo tregon sa njeri i thjeshtë dhe i përulur ishte, i pjekur që në moshë aq të re. Do të na mungojë të gjithëve, duhet ta kujtojmë gjithmonë. Kanë qenë orë të vështira, shumë prej nesh e njihnin nga afër, shumë kanë shkuar për pushime me të, ka qenë një ngjarje e rëndë, ishte një sportist i madh dhe një njeri i madh”.

TRONDITJA – Gatuzo beson se ndarja nga jeta e Astorit nuk do të ndikojë te gjendja psikologjike e skuadrës: “Nuk mendoj kështu. Është e vërtetë që skuadra të dielën ishte shumë e tronditur, por në stërvitje nuk ka ndryshuar asgjë. Arsenali ka kampionë të mëdhenj dhe ka shënuar 18 gola në Europa League. Kemi respekt maksimal dhe duhet të bëjmë një paraqitje të madhe”.

ARSENALI – Më pas, Gatuzo ka theksuar rëndësinë e ndeshjes kundër Arsenalit: “Duhet ta jetojmë me entuziazëm, kishte kohë që nuk shijonim net të tilla. Duke përjashtuar Bonuçin e Bilian, shumë lojtarë nuk kanë pasur asnjë eksperiencë në Europë dhe do të ndeshemi me një skuadër të madhe. Janë në vështirësi, por kanë shumë kampionë, duhet të jemi të përulur dhe të respektojmë kundërshtarin. Të mendojmë fillimisht për ndeshjen në shtëpi, pastaj do të shohim në Londër. Arsenali vuan paksa në mbrojtje, por krijon shumë në sulm dhe krijon epërsi numerike në mesfushë. Ne do të përgjigjemi me kompaktësi”.

OBJEKTIVI CHAMPIONS – Tani që Milani është kthyer të ecë me ritme të larta, objektivi kthehet të jetë Champions League, që mund të arrihet edhe duke fituar Europa League: “Nuk e di fare si mund ta arrijmë më lehtë, le ta shijojmë këtë mbrëmje. Më pas të shohim ku mund të arrijmë, edhe për mua është diçka e re dhe të shoh San Siron të mbushur me 70 mijë tifozë na bën krenarë. Shpresojmë ta vëmë në vështirësi Arsenalin. Unë meritë? Kam fatin të punoj me një grup të përulur dhe që di çfarë është respekti, nuk dorëzohet kurrë. Nëse jemi këtu dhe dikush është përmirësuar, është merita e tyre, që kanë ditur të dëgjojnë dhe të na ndjekin. Shpresoj të qëndroj këtu, por zgjedhjet i bëjnë Fasone dhe Mirabeli. Unë dua ta përmirësoj këtë skuadër, sepse për mua është krenari e pamasë që të mund të punoj aty ku kam luajtur për shumë vite”.

NDESHJA DHE SFIDA ME VENGER – “Une i kam jetuar si lojtar, tani gjithçka është ndryshe. Në krahasim me Venger, unë jam pak a shumë si një trajner i fëmijëve, kategorisë Pulcini. Nuk ka sfidë me të, ai ka fituar shumë në karrierë dhe stërvit prej dekadash të njëjtën skuadër. Nuk ka krahasim, edhe pse do të jetë një ndeshje interesante, unë me mentalitet më të ri dhe ai me eksperiencë. Duhet të jemi të zotët dhe të mos biem pre e presionit, me përqendrim maksimal, pa pasur frikë nga 70 mijë tifozët që do jenë në stadium. Kemi cilësi të mëdha, teknike dhe fizike, ndaj mendoj se mund ta vëmë në vështirësi Arsenalin. Lojtarëve u them që ta përjetojnë me gëzim dhe kujdes, pa menduar se një pasim i gabuar është tragjedi. Në Europë ndeshjet janë shumë më të hapura, në Itali janë më taktike, duhet kujdes ndaj cilësisë së Arsenalit”.

SFIDAT E SË SHKUARËS NË CHAMPIONS – “As i mendoj fare, shqetësimi im është të mos lejoj Arsenalin të shënojë. Në shtrat më dalin në ëndërr Ozil dhe Venger, jo e shkuara ime. Sot është ndryshe, nuk bëhen dot krahasime”.

KUTRONE SHPËTIMTAR – “Ai nuk shpëton dot asgjë i vetëm. Është skuadra që bën punën në sulm dhe mbrojtje, të gjithë vihen në dispozicion të grupit dhe nuk më intereson emri i përveçëm”.

ITALIA DHE ANGLIA – “Në Europë ne dimë si të sillemi, por në aspektin e menaxhimit të biznesit na mundin 10-0. Kampionët tani shkojnë atje, por të paktën në Itali ka më shumë hapësirë për të rinjtë, jo rastësisht tani flitet për emra si Kutrone e Kalabria, apo të tjerë që po evidentohen kudo”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *